Një shtëpi muze/ Hormovë, 50 vjeçari koleksionon sende antike

schedule20:14 - 28 Shtator, 2024

schedule 20:14 - 28 Shtator, 2024

Pas shumë vitesh në emigrim, Naim Kokona vendosi të khehej në fshatin e lindjes për t’ju përkushtuar pasionit të tij dhe një biznesi të vogël familjar që do të hapte më pas, fokusuar te turizmi.

Sendet që ka grumbulluar i ka ekspozuar në ndërtesën ku bujtin turistë të shumtë por që më shumë i përngjan një muzeu. I mbledh sepse mendon që historia duhet ruajtur.

50 vjeçari nga Hormova e Tepelenës tregon se pjesën më të madhe të objekteve rreth 1 mijë e 500 i ka gjetur në fshat e të tjerat në zonat përreth. Sendet i përkasin periudhave të ndryshme.

Në pasionin e tij shoqërues ka edhe fëmijët. Thotë se grumbullimi i sendeve antike nuk kërkon shpenzime por kohë, shumë.

Për të shkuarën duket se më të interesuar janë të huajt, numri i të cilëve është shtuar me kalimin e viteve.

Kokona zbulon se ka dëshirë që me gjithë objektet që ka grumbulluar ndër vite të krijojë një ndërtesë muze. Idenë e tij e ka prezantuar edhe në disa institucione vendore por tregon se nuk ka marrë përgjigje pozitive.

Pavarësisht mungesës së mbështetjes nga institucionet, Naim Kokona shprehet se do ta vijojë pasionin e tij për koleksionimin e sendeve antike e copëzave të historisë./abcnews.al