Një futbollist shqiptar ka mbrojtur një lojtar serb, në një ndeshje për të rinjtë në Itali. Erald Lakti kërkoi ndërprerjen e ndeshjes së Fiorentinës në fushën e Torinos, në Serinë A.
Nuk ngurroi t’i dilte në krah shokut të tij të skuadrës. Futbollisti shqiptar, Erald Lakti, kërkoi ndërprerjen e ndeshjes së Shpresave në Serinë A në Itali, pas ofendimeve raciste ndaj sulmuesit serb, Dushan Vlahoviç.
Ndeshja ishte në Torino, dhe disa nga tifozët vendas sulmuan verbalisht shënuesin e golit të parë të Fiorentinës.
Lakti me numrin 8, që është edhe kapiten i skuadrës vjollcë, kërkoi ndërprerjen e ndeshjes, por kjo gjë nuk ndodhi.
“Cigan, kthehu në shtëpinë tënde, ishin fjalët ndaj Vlahoviçit, sipas faqes në FB, “Forca Fiorentina 1926”, që shton se “nuk ka nevojë për komente për fjalë të tilla, nga ata që nuk mund t’i quash tifozë”.
“Vlahoviçi i shënon gol intolerancës dhe racizmit në Torino, – shkruan “fiorentina.it”, – shënon në fushë dhe jashtë saj”!
Fiorentina ia doli të fitonte 2-1, duke kaluar një rival direkt e duke u ngjitur në vendin e dytë. Javën e ardhshme, skuadra e Laktit do të ndeshet me kryesuesen e kampionatit, Atalantën. Erald Lakti është një shqiptar i lindur në Itali dhe që prej vitit 2017 është pjesë e Fiorentinës.
Luan si mbrojtës i djathtë, ose mesfushor, dhe besohet se në të ardhmen do të jetë pjesë e kombëtares shqiptare. /abcnews.al