Mes shumë qytetarëve, të cilët vrapojnë, ecin apo që thjeshtë shijojnë natyrën, çdo ditë në liqenin artificial të Tiranës, bie në sy një 95-vjeçar, i cili rrëmben vëmendjen e të gjithëve. Pavarësisht moshës dhe problemeve shëndetësore, Muharrem Greca, nga Baldushku i Tiranës, del çdo ditë për të shijuar natyrën dhe ajrin e pastër.
“Unë te liqeni kur është koha e mirë, vij çdo ditë. Në orën -0-11, pasdite. Shumë jam i kënaqur prej vetes time, se vetëm pak shoh nga sytë. Po mos të jetë motori, ngelem në shtëpi”, thotë 95-vjeçari.
Në moshën 65-vjeçare ai pësoi paralizë, më vonë pjesërisht humbi edhe shikimin. Prej 3 dekadash ky motor elektrik, për 95-vjeçarin u kthye në mikun e përbetuar të tij.
Në rrugë të gjithë e njohin dhe e nderojnë. E të shumtë janë ata, të cilët edhe ndalen e përshëndesin dhe e motivojnë për guximin e treguar, duke lëvizur pa një shoqërues.
“Policia kur më sheh më nderon, më falënderon. Se në moshën time nuk duhet të lëviz me motor, po është njeriu që ka qejf të dali deri kur të vdes. Më njohin të gjithë. Me sakrificë, se mosha ime s’është për të dal këtu. Marr guximin”, shprehet ai.
Muharremi gjithë jetën e tij ia kushtoi bujqësisë. Vite të cilat na i tregon me nostalgji.
“Kam qenë teknik duhani dhe shalqini. Rritja shalqinj 20 kilogramë”, thotë ai..
Sot, ndonëse shekullin e ka në prag, ai vijon të frymëzojë me shembullin e tij, i papërtueshëm dhe plot energji për të bërë kilometra të tërë në ditë.
“Natyra më ka dhënë shëndet, dituri e gjallëri. Më ka ndihmu shumë, habiten njerëzit në këtë moshë që i vij përqark liqenit. Më thonë si mund të dal vetëm, pse nuk e shoqërojnë familjarët. Për 2 orë e bëj rreth e përqark”, shprehet 95-vjeçari.
Në çdo kthesë të shëtitores, ai lë pas një mesazh të thjeshtë, por të çmueshëm:
nëse ke dëshirë të jetosh, mosha nuk është kurrë një pengesë, është thjesht një numër.
“Aktiviteti sportiv shumë i dobishëm dhe i domosdoshëm”, nënvizon ai.

