Një serb i graduar kapiten/ Dielli shqiptar, çfarë e ka çuditur dhe Superiorja: Rrëfehet “laçiani” Ignjatovic

schedule17:12 - 31 Mars, 2020

schedule 17:12 - 31 Mars, 2020

“Deri më tani mund të them vetëm gjëra pozitive për Shqipërinë”. Kështu e nis intervistën Aleksandar Ignjatovic, qendërmbrojtësi që këtë verë pranoi të provonte një eksperiencë të re në Superiore dhe e bindi Laçi. Përshtypjet e tij për vendin tonë dhe kampionatin janë pozitive. “Kampionati është cilësor dhe ka shumë lojtarë të mirë, veçanërisht lojtarë të rinj. Tirana është një qytet i këndshëm, ka shumë restorante dhe kafe. Edhe ushqimi është shumë i mirë këtu”, shton shtatlarti, i cili rrëfimin e tij për Abcnews.al nuk e lë më kaq.

 

Debutimi i Ignjatovic, në Europa League kundër Hapoel Beer Sheva

Si erdhi në Shqipëri? Ignjatovic tregon se i kishin folur mirë për kampionatin dhe për klubin e Laçit. “Para se të vija këtu fola më disa miq të mi që kanë luajtur më parë në Shqipëri. Bisedova me Milan Culum dhe Renato Gojkovic, të cilët kanë luajtur me Partizanin më parë. Ata më thanë gjëra të mira për Laçin. Klubi është korrekt dhe profesionist. Deri më tani kam një raport shumë të mirë me të gjithë njerëzit në klub, veçanërisht me presidentin Laska, i cili kontrollon gjithçka këtu”, rrëfen qendërmbrojtësi.

Ka diçka që Aleksandar e ka vënë re në kampionatin shqiptar: “Kam luajtur në Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Holandë dhe Hungari. Ndryshimi me futbollin boshnjak qëndron në faktin që atje është futboll më fizik. Këtu lojtarët përpiqen të luajnë futboll më shumë, futbollistët janë më të shpejtë dhe këtu është luftë nga minuta e parë. Ndonjëherë ekipet nuk mendojnë nëse humbin ose fitojnë. Më e rëndësishme është që të luftohet në fushë”.

Aleksandar, kur prezantohej te Feyenoord

Radicki Nis është klubi ku Ignjatovic e nisi karrierën, për ta kaluar më pas te Borac Cacak. Në vitin 2009 u transferua në Holandë, te gjigantët e Feyenoord. Çfarë nuk shkoi? Mbrojtësi nuk dëshiron ta kthejë kokën pas: “Feyenoord është histori e gjatë. Kisha disa probleme me agjentin dhe tarifën e transferimit, ndaj nuk ishte problem dokumentacioni”.

Ai i rikthehet Superiores dhe nuk stepet ta thotë që Tirana është ekipi më i mirë, ndërsa kur pyetet për sulmuesin më të mirë, duke veçuar Nwabueze, ai nuk mund të zgjedhë një emër. “Ekipi më i mirë deri më tani është Tirana. E kanë treguar në fushë diçka të tillë. Sa i takon sulmuesit më të mirë, nuk mund të them kush është më i miri. Ka shumë sulmues të mirë, që janë në të njëjtin nivel. Për mua, repartin më të mirë sulmues e ka Kukësi. Janë tre lojtarë, jo të fortë fizikisht, por të zgjuar”.

Aleksandar, në një baret e Tiranës

Ka diçka që i ka bërë përshtypje te Laçi, madje Aleksandar Ignjatovic thekson se nuk e ka parë në asnjë ekip diçka të tillë. “Kurrë në jetën time nuk kam parë ekip ku të gjithë lojtarët të jenë njerëz pozitivë. Ne kemi ekip të ri, me djem që punojnë shumë. Të gjithë janë të fokusuar vetëm te futbolli. Shpresoj shumë që disa prej tyre të bëjnë një karrierë të mirë në këtë sport”, shprehet mbrojtësi, i cili në prill feston 32-vjetorin e lindjes.

Ignjatovic flet edhe për raportin me presidentin Laska, si dhe komenton edhe vlerësimin që i është bërë, duke i dorëzuar shiritin e kapitenit para ndeshjes me Flamurtarin. “Presidenti është një njeri që është shumë i pasionuar pas futbollit. Kemi pasur një komunikim shumë të mirë deri tani dhe shpresoj të vazhdojë kështu”.

 

Ignjatovic, në fillim të ndeshjes me Tiranën

“Shiriti? Trajneri dhe presidenti e morën vendimin për të më dhënë shiritin e kapitenit. Jam i nderuar për diçka të tillë, por është gjithashtu një përgjegjësi e madhe. Jam i sigurt që do të përgjigjem mirë ndaj këtij besimi që më kanë dhënë”, shton Ignjatovic, i cili në të shkuarën ka qene pjesë e Serbisë U21. Deri më tani është i kënaqur te Laçi dhe dëshira është të qëndrojë te bardhezinjtë.

“Sa i takon të ardhmes time te Laçi, do të flas me presidentin kur të mbarojë sezoni dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë kam edhe një vit kontratë. Nëse ai dëshiron që unë të qëndroj në ekip dhe do të jetë korrekt si deri tani, do të qëndroj këtu. Për momentin shpresoj që të shkojmë në Europë, sikurse sezonin e fundit”, shprehet serbi i kurbinasve, autor i një goli në 25 takime të luajtura në kampionat.

 

Ignjatovic, në bregdetin e Durrësit

Shqipëria i pëlqen, por edhe e vuan mungesën e familjes. “Në përgjithësi Shqipëria është e bukur. Plazhet janë shumë të këndshme, si dhe njerëzit janë të mirë. Më pëlqen Tirana. Ka diell gjithmonë dhe ku është dielli, ka edhe energji pozitive”, shprehet Ignjatovic, i cili më pas flet edhe djalin e tij dhe familjen.“Jeta është e vështirë për mua, veçanërisht kur djali im nuk është me mua. Gjithmonë e sjell në Tiranë dhe qëndron me mua kur e ka pushim në shkollë.

Djali më kupton mua, kjo është puna ime dhe do e bëj edhe për 4-5 vite. Pastaj do të jem gjithë kohën me të. Tani pres për verën, që të përfundojë edhe kjo situatë e krijuar nga Coronavirusi dhe gjithçka të kthehet në normalitet. Familja ime do të vijë këtu dhe gjithë verën do të qëndrojë me mua. Kështu që do pres”, përfundon mbrojtësi i Laçit, Aleksandar Ignjatovic. / Vladimir Prenga – Abcnews.al

 

Aleksandar, me djalin e tij

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!