Një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës për rifillimin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase ishte shumë afër, pas bisedimeve në Stamboll në fillim të javës. Kjo sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, raporton The Guardian.
Ministria tha se propozimet e Moskës se si të arrihet një rifillim i eksporteve të grurit ukrainas u mbështetën në masë të madhe nga negociatorët dhe se puna për atë që ajo e quan “Iniciativa e Detit të Zi” do të finalizohet së shpejti.
Pas bisedimeve të së mërkurës, ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar tha se Rusia, Ukraina, Turqia dhe OKB-ja do të nënshkruajnë një marrëveshje javën e ardhshme.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, u tha gazetarëve të enjten se ishte e mundur të formuloheshin disa elementë të një marrëveshjeje të mundshme që Rusia, Ukraina dhe Turqia po diskutojnë tani në kryeqytetet e tyre përmes departamenteve të tyre ushtarake.
Një datë paraprake për takimin e ardhshëm katërpalësh është 20 ose 21 korrik, ka raportuar agjencia shtetërore ruse e lajmeve Ria. Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se data e takimit të ardhshëm nuk është ende e qartë. /abcnews.al