“Një qeveri e tërë kërkon ta zhbëjë dhe s’e zhbën dot”

schedule20:55 - 14 Dhjetor, 2017

schedule 20:55 - 14 Dhjetor, 2017

Një master plan i vitit 2009, i miratuar me VKM në qeveri, e ndan Portin e Durrësit në 6 sektorë kryesorë. Por me një kontratë të çuditshme në fillim të vitit 2013, një pjesë e portit iu dha me koncension kompanisë gjermane EMS APO. Kontrata në fjalë devijoi master planin dhe e strukturoi portin në 4 sektorë.

Sot koncensionari gjerman EMS ka tejkaluar kontratën dhe bën edhe punë që nuk i takojnë, si shkarkimi i tubave të TAP-it, mallrat gjenerale, mbushja e kontenierëve,ndërkohë që duhet të ishin pjesë e punës së stivadorëve.

Gazmend Tahiri, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, thotë se këtë katrahurë nuk po e zhbën dot as qeveria, pavarësisht se porti ka humbje të mëdha nga kontrata abuzive.

Për sa i përket kontratës që lidhi kompania gjermane EMS APO me Ministrinë e Transportit, në muajin Maj të vitit 2013, drejtori i Drejtorisë Juridike APD, Elio Jani shprehet se nuk ka dokumentacionin përkatës për të shpjeguar se përse është devijuar master plani nga kontrata koncesionare. Drejtori Jani pohon se kjo kontratë nuk ka zbatuar master planin e miratuar në vitin 2009, nga VKM.

Kontrata koncesionare e kompanisë gjermane EMS APO e strukturoi portin në 4 sektorë, terminali lindor, perëndimor, i kontinierëve dhe i pasagjerëve.

“Operatori ekonomik në këtë rast ka qenë mjaft i privilegjuar, shteti jo”, tha drejtori i Drejtorisë Juridike të Autoritetit Portual Durrës.

Më datë 23.09.2015, Gazmend Tahiri, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare autorizoi EMS të marrë të gjithë kompetencat për të zhvilluar aktivitetin e tre kompanive stivadore.

I pyetur nga gazetari i emisionit “STOP” nëse është zhvilluar një konkurs për t’ia dhënë këtë autorizim koncensionarëve, drejtori Tahiri thotë: “Licenca jepet me baza konkurimi, autorizimi për të kryer këtë lloj procesi është njëlloj sikur të vijë një saldator, i cili kërkon të kryejë operacionin e saldimit, i thua duhet të kesh pincën, harkun elektrik dhe pas të gjithë këtyre parametrave i jep të drejtën të saldojë. Se ku do kryejë veprimtarinë, ajo është çështje e licencës”.

Por kur mendoi se kamerat ishin fikur, ai u shpreh: “Një qeveri e tërë që kërkon ta zhbëjë atë dhe s’e zhbën dot. Nuk bëhet kjo as me gazetarë e as me ne”.

Një tjetër skandal i EMS APO është dhënia pa të drejtë e projektit TAP. Menaxheri i Përgjithshëm i projektit TAP, Karl Roberts nëpërmjet një letre thotë: “Gjithashtu, ne do të donim të sillnim në vëmendjen tuaj se TAP ka marrë një letër mbështetjeje më datë 18 Mars 2016 nga Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, i cili shprehte mbështetjen e tij për punën dhe autorizimin e EMS APO për të kryer shkarkimin e tubave për Projektin TAP në Terminalin Lindor”.  

Drejtori i Portit Durrës – Porti humb në 100 lekë nëqoftëse 1 ton kushton 100 lekë. Po ta bënim tek Terminali Perëndimor merrnim 100 lekë, e bëjmë tek Terminali Lindor marrim 33 lekë. Pse duhet t’i humbim? Çfarë kushtesh më tepër ka ai nga ne? Asnjë gjë më tepër nuk ka… Unë e kam hedhur, edhe pa dëshirën time. Më kuptoni, po ju flas shumë hapur sepse është një shqetësim real për mua.

Sipas kontratës, EMS do të merrej me mineralet, por në territorin që ka zaptuar kryhet puna edhe për mallrat gjeneralë. Në kontratë nuk është parashikuar as mbushja e kontenierëve me minerale, megjithatë kompania koncensionare e bën.

Drejtori i Drejtorisë Juridike APD, Elio Jani thotë se kjo kompani nuk ka të drejtë t’i kryejë këto aktivitete.

Gazetari i emisionit “STOP” ve në dukje se Terminali Perëndimor, që është në administrim të Autoritetit Portual Durrës nuk është funksional, ndërsa ai Lindori, që është në administrim të EMS APO, puna vazhdon normalisht.

Kontrata koncensionare, e lidhur në Maj të vitit 2013, ka paralizuar Portin e Durrësit dhe punon vetëm gjysma e tij. Drejtori Jani thotë se Autoritetit Portual Durrës nga viti 2013 deri në 2015-n ka humbur rreth 420 milionë lekë të vjetra për shkak të kompanisë gjermane. “EMS APO nuk na jep pjesën tonë prej 11%, që na takon!”/tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!