Një prokuror do të rishikojë hetimin mbi “Russiagate”

schedule19:22 - 14 Maj, 2019

schedule 19:22 - 14 Maj, 2019

Pas hetimit mbi ndërhyrjen e përfolur ruse, një tjetër hetim do të marrë jetë në Shtetet e Bashkuara për të verifikuar nëse procesi i udhëhequr nga prokurori i posaçëm Robert Myler ka qenë legjitim. Vendimi është marrë nga prokurori i përgjithshëm, i cili është kritikuar se po vepron me urdhër të Presidentit Donald Trump.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Uilliam Berr ka caktuar një prokuror federal për të hetuar origjinën e hetimit mbi ndërhyrjen ruse. Xhon Durham, prokuror në Konektikat, ka bërë të ditur se i është kërkuar të përcaktojë nëse mbledhja e informacioneve mbi fushatën e presidentit Donald Trump ishte e ligjshme.

Megjithatë, kritikë të kryeprokurorit Berr e kanë akuzuar atë se po vepron për llogari të presidentit sesa për interes të drejtësisë amerikane. Muajin e kaluar, prokurori i përgjithshëm u tha anëtarëve të Kongresit amerikan se besonte se stafi elektoral i Trump ishte përgjuar.

“Dhe pyetja që shtrohet është nëse ishte një përgjim i autorizuar. Nuk po them që nuk ishte, por më duhet ta zbuloj”, u tha Berr ligjvënësve. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, por shtoi se po organizonte një ekip që do të hidhte dritë mbi origjinën e hetimit që u udhëhoq nga hetuesi i posaçëm Robert Myler.

Tani, prokurori Xhon Durham, i njohur për hetimin e funksionarëve publikë të dyshuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën, nuk do të veprojë si hetues i posaçëm njësoj si Myler.

Ai do të ketë për detyrë të zbulojë nëse qeveria amerikane veproi në rrugë ligjore kur mblodhi informacione mbi stafin e Trump përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Ky do të jetë hetimi i tretë mbi ditët e para të jetës të çështjes që mori emrin “Rasha-gejt”. /ABC News Albania 24/7