Një portier “mbreti” i minutave në Superiore, ja lista e lojtarëve që e ndjekin

schedule15:10 - 28 Shkurt, 2022

schedule 15:10 - 28 Shkurt, 2022

E ndërsa ka përfunduar java e 22-të e Abissnet Superiore, dhe java e 23-të që do të luhet në mesjavë, i kemi hedhur një sy edhe lojtarëve që kanë luajtur më shumë deri në këtë fazë të kampionatit shqiptar.

Një portier është “mbreti” i minutave në Superiore dhe është pikërisht gardiani i portës së Skënderbeut, Bekim Rexhepi, i cili është aktivizuar në 22 takime të plota, duke luajtur në total 1990 minuta.

Në vend të dytë është mesfushori i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi, i cili nga 22 takime ku është aktivizuar 20 prej tyre i ka luajtur të plota. Si një nga lojtarët bazë në formacionin e Thomas Brdaric, Jonuzi ka dhënë kontributin e tij në 1970 minuta lojë.

Në podium gjithashtu ndodhet edhe kapiteni i verilindorëve, Gjelbrim Taipi, i cili është lojtari i tretë me më shumë minuta të luajtura në Abissnet Superiore, me 1912 minuta.

Përsëri një portier është pjesë e kësaj liste. Tirana kryesuese përfaqësohet me Visar Bekaj, i cili ka mbrojtur portën e bardhebluve në 1890 minuta.

Laçi përfaqësohet me Ardit Deliun, i cili ka në këmbët e tij 1770 minuta. Ndërkohë Esat Mala mban lart “stafetën” e Partizanit. Mesfushori i demave ka qenë protagonist ne fushën e blertë për 1803 minuta.

Krivanjeva është lojtari i Egnatias që ka luajtur në 1860 minuta, ndërkohë ish-kapiteni i Kukësit, Agim Ibrahimi kryeson te Dinamo me 1808 minuta ku ka udhëhequr skuadrën e tij deri në këtë fazë të kampionatit.

Edhe skuadra e Teutës përfaqësohet me portierin Qirko, i cili ka mbajtur dorezat veshur për 1800 minuta. Këtë listë e mbyll Kastrioti, me Sokol Nezirin që ka arritur të lërë gjurmë ne ndihmë të skuadrës krutane në 1709 minuta. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!