Një paralajmërim, pezullime dhe Luftëtari “out”: Disiplina nuk fal

schedule20:36 - 6 Nëntor, 2020

schedule 20:36 - 6 Nëntor, 2020

Komisioni i Disiplinës është mbledhur ditën e sotme dhe ka marrë vendime për çështjet disiplinore të përcjella nga zyrtarët e ndeshjeve. Ka disa pezullime, në Superiore, në të Dytën dhe te moshat, ndërkohë që Luftëtari humb ndeshjen me Pogradecin në tavolinë dhe i hiqen tre pikë. Kjo situatë do përsëritet me gjirokastritët, që pritet të përjashtohen nga gara. Në Superiore ka një paralajmërim, për Bylisin.

VENDIMET E DISIPLINËS – KF Bylis, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

Zyrtari i KS Kastrioti, Genci Lama për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të Nenit 19 të KDS zyrtarit i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe ambientin përreth fushës.

KF Luftëtari, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kategorisë së Parë kundër KF Pogradeci, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe Nenit 109/2/d të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.

Lojtari i SHS Përmeti, Stavro Bidika, për goditje me shkelm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

Zyrtari i SHS Përmeti, Bledar Hajredini, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 55/2 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

Lojtari i FK Elbasani U-19, Emanuel Abdiaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!