Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Një oficer i ICE plagos një burrë në Minneapolis mes tensioneve për emigracionin

schedule08:47 - 15 Janar, 2026

schedule 08:47 - 15 Janar, 2026

Një oficer i Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) ka plagosur një burrë në këmbë në qytetin e Minneapolisit, vetëm një javë pas vrasjes së një gruaje nga një agjent i së njëjtës agjenci, ngjarje që ka shkaktuar protesta dhe tensione të forta në disa qytete amerikane.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), oficerët federalë kishin ndjekur fillimisht burrin me makinë, pasi ai dyshohej se ndodhej ilegalisht në Shtetet e Bashkuara dhe ishte shtetas i Venezuelës.

Autoritetet e qytetit konfirmuan se i plagosuri është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. DHS bëri të ditur se edhe një oficer i ICE ka marrë trajtim mjekësor pas incidentit.



Tensionet për zbatimin e ligjeve të emigracionit janë rritur ndjeshëm pas vrasjes së 37-vjeçares Renee Nicole Good më 7 janar, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE gjatë një operacioni në Minneapolis. Vdekja e saj ka nxitur protesta në qytet dhe në disa shtete të tjera.

Shefi i Policisë së Minneapolisit, Brian O’Hara, deklaroi se incidenti i fundit ka sjellë përplasje të reja mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke shtuar se policët janë goditur me fishekzjarre, akull dhe topa bore.

Në një reagim në rrjetin X, zyrtarë të qytetit thanë se “e kuptojnë zemërimin e qytetarëve”, por u bënë thirrje për qetësi. Ata përsëritën gjithashtu kërkesën që ICE të largohet nga qyteti dhe nga shteti i Minesotës.

Sipas DHS, gjatë incidentit të së mërkurës, burri doli nga automjeti dhe pati një përplasje fizike me një oficer të ICE. Dy persona të tjerë dyshohet se iu bashkuan konfliktit, çka çoi në përdorimin e armës nga oficeri, i cili, sipas DHS, veproi në vetëmbrojtje. Dy persona janë arrestuar.

BBC raporton se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur versionet zyrtare të ngjarjes. Ndërkohë, Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka nisur hetimet.

Kryetari i bashkisë së Minneapolisit, Jacob Frey, akuzoi autoritetet federale për “krijimin e kaosit” në shtet, ndërsa guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i bëri thirrje presidentit Donald Trump t’i japë fund asaj që e quajti “okupim” nga oficerët e ICE.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 3.000 oficerë të ICE janë dislokuar në Minesotë gjatë javëve të fundit.

Vrasja e Renee Nicole Good mbetet në qendër të debatit politik dhe publik. Administrata Trump ka deklaruar se agjenti i ICE veproi në vetëmbrojtje, ndërsa autoritetet lokale dhe familjarët e viktimës mohojnë se ajo përbënte rrezik. Një fond për familjen e saj ka mbledhur mbi 1.4 milionë dollarë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!