Një ofertë tunduese dhe dy afrime të bujshme, lëvizje te Tirana e Partizani

schedule09:37 - 2 Qershor, 2021

schedule 09:37 - 2 Qershor, 2021

Tirana ka disa lojtarë të talentuar në skuadër, që janë gati të bëjnë hapin e madh në karrierë. Pas thashethemeve për largimin e Çelhakës, një tjetër “xhevahir” është në lupën e klubeve të mëdha europiane. Bëhet fjalë për Marsel Ismajlgecin.

Mbrojtësi i majtë, përkundër formës me luhatje të Tiranës në tërësi, ka arritur të mbajë nivelin e tij të lartë dhe këtë sezon ka treguar se ka aftësi të bëjë mirë edhe në ofensivë, duke treguar vlerat e një mbrojtësi krahu modern, që mbulon gjithë perimetrin anësor të fushës.

 

Ferencvaros, e magjepsur nga cilësitë e Myrto Uzunit duket se është dashuruar me shqiptarët dhe ka hedhur grepat për blerjen e 21-vjeçarit të Tiranës. Panorama Sport raporton në lidhje me interesin, teksa tratativat nisin nga 400 mijë eurot.

Ismajlgeci nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të luajtur në ligë më cilësore dhe më të pasur. Talenti i kombëtares ka luajtur plot 36 ndeshje këtë sezon me bardheblutë dhe ka mundur të shënojë 5 gola e të dhurojë 6 asiste.

 

I njëjti burim raporton për lëvizje te Partizani, por në këtë rast tentativat janë në hyrje. Esat Mala pritet të largohet këtë verë drejt një kampionati më të fortë dhe drejtuesit po kërkojnë për zëvendësues, teksa kanë pikasur anësorin e Bylisit, Edison Ndreca.

Me forcën, shpejtësinë dhe goditjet e forta 26 vjeçari ka spikatur në Ballsh, duke qenë një nga më të mirët e eekipit të Dovedan. Ai është autor i 6 golave dhe 1 asisti këtë sezon. Bylisi ka rënë në Kategorinë e Parë dhe Ndrecës i ka skaduar kontrata me ta.

Ndërkohë një tjetër lojtar i Superiores, të cilin Partizanin e ka zgjedhur dhe e do për të përforcuar skuadrën është “laçjani” Erhun Obanor. Të paktën një mes Bitrit dhe Belicës do largohet në verë dhe të kuqtë kanë vendosur për mbrojtësin nigerian. Së shpejti pritet të nisin negociatat konkrete, sapo mbrojtësi të kthehet nga Nigeria, ku po pushon disa ditë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!