Liverpool mund të shpallet kampion Anglie sonte në mbrëmje. Manchester City luan në “Stamford Bridge” kundër Chelsea (21:15) dhe nëse nuk fiton ndeshjen skuadra e Jurgen Klopp fiton zyrtarisht titullin.
Gjermani është shfaqur në humor pas fitores së djeshme 4-0 kundër Crystal Palace. Në prononcimin e dhënë për Sky Sports, trajneri i Liverpool tregohet pak supersticioz dhe thekson se nuk do e shikojë takimin e sotëm të rivalëve.
“Nuk e di nëse do e shoh sot ndeshjen Chelsea-Manchester City. Herën e fundit që u ula të shikoj Cityn, ata po fitonin 3-0 dhe e lashë takimin përgjysmë. Po humbisja kohë kot (qesh). Ata janë realisht një skuadër e shkëlqyer, janë të jashtëzakonshëm.
Guardiola ka thënë që do të lërë pushim ndonjë lojtar të madh për ta ruajtur për ndeshjen e FA Cup? Me të vërtetë e ka thënë diçka të tillë? Do të jetë duke luajtur poker… “, deklaron Jurgen Klopp. /abcnews.al

