Ekipet e kërkim- shpëtimit në Bejrut po vazhdojnë të kërkojnë nëpër rrënojat e një ndërtese pas raportimeve se një person mund të jetë gjallë, një muaj pas shpërthimit masiv që shkatërroi kryeqytetin libanez, raporton BBC.
Pajisjet e specializuara me censorë u dërguan në zonën Mar Mikhael pas raportimeve se u dëgjuan rrahje zemre. Teksa kalonin në ndërtesën e rrënuar të mërkurën, qeni i një ekip shpëtimi dha shenjë se brenda ndodhej një person i gjallë. Kur u kthye sërish në mëngjes qeni shkoi në të njëjtin vend dhe dha të njëjtën shenjë.
Një grup i madh njerëzish u mblodhën në vendngjarje dje, ndërsa ekipi i shpëtimit nga Kili filloi të punonte. Ende nuk dihet nëse vërtet ka të gjallë nën rrënoja. Ekipet e kërkim-shpëtimit ndërprenë kërkimet gjatë natës pasi nuk kishin vinça për të ngritur rrënojat, mes frikës se ndërtesa mund të shembej. Por vullnetarët lokalë vazhduan të punojnë me dorë, ndërsa një vinç i siguruar nga individë privatë ka mbërritur më vonë në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë njerëzit po shpresojnë për një histori të mrekullueshme mbijetese. Më shumë se 200 njerëz vdiqën dhe rreth 300,000 të tjerë mbetën të pastrehë nga shpërthimi i ndodhur më 4 gusht, kur 2,750 ton nitrat amoni shpërthyen pranë portit.
Populli libanez ka protestuar për faktin se si një sasi kaq e madhe material i rrezikshëm ishte ruajtur në mënyrë të pasigurt në një depo në portin e qytetit, e cila ndodhet shumë afër zonave të banuara. Dorëheqja e qeverisë libaneze menjëherë pas ngjarjes nuk arriti t’i qetësonte protestuesit, të cilët u konfrontuan ashpër me policinë në qytet për ditë me radhë. so.ba/abcnews.al