Një mbyllje e dytë e bareve dhe restoranteve? Bizneset: Do të na çonte në kolaps

schedule14:52 - 31 Tetor, 2020

schedule 14:52 - 31 Tetor, 2020

Nga Erblina Mile

Një mbyllje e dytë e hoteleve, bareve dhe restoranteve do ta çonte këtë sektor drejt kolapsit.

Përfaqësuesi i  Shoqatës së Turizmit Shqiptar, Zak Topuzi shprehet se deri më tani  nuk i është marrë asnjë mendim në lidhje me këtë vendim që pritet të merret në ditët në vijim.

Për shkak të protokolleve, baret dhe restorantet deri më tani kanë funksionuar vetëm me 20% të kapaciteteve, duke përfituar të ardhura minimaliste.

“Deri tani nuk ka asnjë përgjigje konkrete dhe asnjë kontakt me qeverinë. Një nga problemet kryesore që ka industria është se nuk është konsultuar me bizneset, me grupet e interesit, pasi nuk është vetëm shëndetësia që vendos për masat.

Duhet të jemi seriozë, pasi përderisa qeveria ka vendosur me VKM të mbyllë pjesën më të madhe të aktiviteteve të industrisë atëherë duhet të marrë edhe masa për ta subvencionuar këtë industri e cila është shumë e rëndësishme. Një kolaps, një mbyllje e dytë e kësaj industrie do të dëmtonte të gjithë industrinë e vendit”, tha ai.

Për të shmangur mbylljen në masë të aktiviteteve, por edhe për të ulur impaktin në ekonomi, Zak Topuzi i kërkon qeverisë që të veprojë si rajoni i cili ka miratuar paketa të veçanta për turizmin.

Mali i Zi dhe Maqedonia po aplikojnë mbështetje financiare në bazë të rënies së pësuar nga subjektet.

“Malin e Zi dhe Maqedoni për tu krahasuar, pasi kanë bërë paketa ndihmuese për të gjithë ekonominë e vendit, në veçanti për industrinë turistike. Maqedonia lancoi paketën e katërt, kurse Mali i Zi paketën e tretë”, shprehet Topuzi.

Shumë vende të rajonit dhe të BE-së kanë vendosur një mbyllje të dytë për hotelet, baret dhe restorantet për shkak të shtimit të rasteve të të infektuarve.

Në Shqipëri  ende nuk ka një vendim përfundimtar, por Komiteti i Ekspertëve ka paralajmëruar vendosjen e kufizimeve për këtë sektor./abcnews.al/