Një luftë e gjatë në Ukrainë, mund të shkaktojë kaos global

schedule09:21 - 11 Qershor, 2022

schedule 09:21 - 11 Qershor, 2022

Nga Hal Brands “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Lufta në Ukrainë është shndërruar në një konflikt brutal pa një fund të dukshëm në horizont. Ndërsa konflikti po zgjat, lind natyrshëm pyetja: Cilën palë favorizon koha? Kievi shpreson se do ta forcojë pozitën e tij me kalimin e muajve, pasi një Rusi e izoluar po ballafaqohet me një katastrofë ekonomike dhe ushtarake.

Ndërkohë basti i presidentit rus Vladimir Putin, është se ai mund ta shkatërrojë Ukrainën edhe me një ushtri të dobësuar, teksa po e përdor kërcënimin e një kaosi ekonomik global, për të ndalur ndihmën që po merr Kievi nga Perëndimi.

Secila palë po përpiqet ta përgjakë sa më shumë kundërshtarin për ta nënshtruar atë, një dinamikë që do të nxisë një destabilitet të gjerë, dhe që do ta ballafaqojë SHBA-në me sfida shumë serioze. Gjatë javëve të fundit, luftimet janë zhvilluar kryesisht në Ukrainën Lindore.

Rusia po përdor sulmet e pareshtura më artileri për të pushtuar dalëngadalë më shumë territore, me shpresën e “çlirimit” të plotë të rajonit të Donbasit. Ukraina po e vazhdon rezistencën, duke i shkaktuar shumë viktima armikut, por duke pësuar edhe vetë humbje serioze, diçka që është pranuar nga vetë presidentit Volodymyr Zelenskiy.

Por pavarësisht nga përfitimet territoriale ruse të javëve të fundit, Ukraina ka ende arsye për të qenë optimiste. Fuqia e saj ushtarake është në rritje në disa parametra të rëndësishëm, pasi Kievi po pajiset me armë artilerie me rreze më të gjatë si dhe me armë të tjera të sofistikuara nga vendet perëndimore.

Po ashtu disa nga shërbimet më të mira të inteligjencës në botë, po punojnë me shumë efektivitet në ndihmë të Kievit, duke i ofruar informacione me shumë vlerë, që i ndihmojnë udhëheqësit ushtarakë ukrainas të parashikojnë goditjet e armikut, dhe të kundërpërgjigjen më fort.

Ndërkohë fuqia ushtarake e Rusisë do të dobësohej shumë në skenarin e një lufte të gjatë, për shkak se ekonomia dhe industria ruse e mbrojtjes, janë subjekt i sanksioneve të ashpra, në një kohë që morali i forcave të saj do të zbehet akoma më tej me rritjen e numrit të viktimave.

Për sa kohë që Ukraina ka pas vetes shumicën e demokracive të përparuara të botës, ajo mund të shpresojë që ta dobësojë dhe në fund ta mposhtë ushtrinë ruse, dhe më pas të rimarrë ndoshta një pjesë të territorit që Moska ia ka grabitur. Megjithatë, këtu ka disa paralajmërime thelbësore.

I pari është kërcënimi i “lodhjes nga Zelenskiy”, pra rreziku që udhëheqësit perëndimorë të lodhen nga kërkesat e Kievit për para dhe armë, në një kohë kur ekonomitë e tyre po dobësohen dhe po mbarojnë arsenalet e tyre ushtarake.

Paketa e fundit e mbështetjes prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën, u kritikua nga republikanët në SHBA pikërisht për këto arsye. Nëse do të vazhdojnë të rriten kostot e luftës, dhe nëse Zelenskiy vazhdon të këmbëngulë se Ukraina do të çlirojë të gjithë territorin që Rusia ka pushtuar që nga viti 2014, aleatët e tij të huaj mund ta shohin atë jo si një frymëzim për botën e lirë, por si një barrë.

Kjo perspektivë do të ndërveprojë me strategjinë e Putinit, e cila përfshin heqjen e sanksioneve dhe shndërrimin e Ukrainës në një zonë fatkeqësie. Bllokada e porteve të Detit të Zi të Ukrainës, veçanërisht e Odesa, po e bën tejet të vështirë eksportin e grurit dhe mallrave të tjera.

Shkatërrimi i vazhdueshëm i vendit, ka shkaktuar një tkurrje ekonomike katastrofike. Rusia mund të mos jetë në gjendje që ta mposhtë Ukrainën ushtarakisht, por mund ta shkatërrojë ekonominë e saj, dhe ta detyrojë Kievin të bëjë kërkesa të mëdha ndaj mbështetësve të tij ndërkombëtarë për vitet në vijim.

Për më tepër, Putin po e përdor perspektivën e një krize ekonomike globale, si një mjet të shantazhit gjeopolitik. Në rast se Ukraina nuk mund të eksportojë dot grurin e saj, do të vuajnë vendet në mbarë botën. Çmimet e larta të energjisë po shtojnë presionet recesionare si në ekonomitë e zhvilluara po ashtu edhe në ato në zhvillim.

Duke shkaktuar jo pak dhimbje, ndoshta Putin mund të arrijë të largojë nga koalicioni demokratik anëtarët ngurues, siç është Gjermania, dhe ta nxisë Ukrainën të kërkojë sa më parë arritjen e një marrëveshje paqeje. Kaosi global mund ta ndihmojë Putinin edhe në mënyra të tjera.

Sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më e madhe është mundësia që një krizë e madhe mbi Iranin ose Tajvanin ta tërheqë diku tjetër vëmendjen e SHBA-së. Në fakt, pavarësisht nëse kjo strategji do të ketë sukses apo jo, ajo do ta testojë Uashingtonin.

Në përgjigje të bllokadës ekonomike të Moskës ndaj Kievit, SHBA-ja mund të përdorë asetet shtetërore ruse që ka ngrirë që në fillim të konflikti për të mbështetur dhe rindërtuar Ukrainën. Por kjo do të rriste në mënyrë të pashmangshme frikën globale rreth përdorimit si një armë të dominimit financiar të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara mund të përpiqen të ndryshojnë situatën, duke forcuar presionin ekonomik ndaj Rusisë. Por kjo gjë do të kërkonte një përdorim ndoshta më të madh të sanksioneve dytësore – duke penalizuar palët e treta që bëjnë biznes me Moskën – gjë që nga ana tjetër do të shkaktonte fërkime më të mëdha me vendet që mbështeten tek nafta apo eksportet e tjera ruse.

Ndoshta më akute është sesi të ri-mundësohet aftësia e Ukrainës për të eksportuar nëpër botë (veçanërisht grurin). Kjo është shumë thelbësore për lehtësimin e goditjeve ekonomike që ka shkaktuar lufta. Megjithatë, ajo mund të kërkojë ndërmarrjen e hapave të tillë si shoqërimi i anijeve ukrainase, pajisja e tyre me flamujt amerikanë, apo hapja me forcë e një korridori të sigurt tokësor ose detar, veprime që do ta projektonin fuqinë e SHBA-së në qendër të një lufte në vazhdim.

Në vend se të synojë kryesisht të pengojë Rusinë të sulmojë vendet e NATO-s, SHBA-ja do të përpiqet ta detyrojnë Rusinë t’i japë fund bllokimit të tregtisë së Ukrainës me botën. Kjo mund të çojë në një moment të rrezikshëm ku gjërat mund të përshkallëzohen, pasi suksesi në lehtësimin e presionit ekonomik nga Rusia, mund të çojë në dështimin e strategjisë së Putinit për të fituar luftën. Konflikti në Ukrainë mund të duket sikur është vendosur në një ekuilibër të dhunshëm. Por trazirat që po prodhon lufta dhe dilemat globale që ajo paraqet, sapo kanë filluar.

Shënim:Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins, SHBA.