Milani e ka nisur shumë mirë sezonin e ri të Serie A dhe kryeson i vetëm kampionatin pas një kohe të gjatë. Objektivi primar i kuqezinjve është rikthimi në Champions League dhe renditja në një nga katër vendet e para në kampionat është detyrim për ekipin e Stafano Piolit.
Tifozët kanë filluar të ëndërrojnë titullin, teksa drejtuesit vazhdojnë punën për përforcimin e skuadrës. Një emër që intrigon për repartin defensiv është Jerome Boateng. Gjermanit i përfundon kontrata me Bayern Munchen në fund të sezonit dhe rinovim nuk do të ketë.
Chelsea, Tottenham dhe Arsenal janë të interesuara për shërbimet e tij, por në garë është futur edhe Milani. Dyshja Maldini-Massara e kanë në listat e tyre 32-vjeçarin (pjesë e Bayern prej vitit 2011), i cili ka fituar shumë trofe në karrierën e tij, mbi të gjitha Botërorin me Gjermaninë dhe 2 Champions me bavarezët.
Kushti i vetëm që duhet të plotësojë Milani është kualifikimi në kompeticionin e më të fortëve për sezonin e ardhshëm. Nëse “Djalli” rikthehet në Champions, arritja e një akordi me Boateng do të ishte një mision më i thjeshtë, me qendërmbrojtësin që pritet të zbarkojë në Milanello në fund të sezoni me parametra zero. /abcnews.al