Një jetë mbi këpucë/ Hysamedin Çekrezi e ushtron zanatin e këpucarit prej 55 vitesh

schedule20:21 - 11 Maj, 2024

schedule 20:21 - 11 Maj, 2024

KUKËS- Hysamedin Çekrezi është ndër të paktët zanatçinj të mbetur në Kukës. Familja e tij u shpërngul nga Stambolli në Prizren, e më pas gjatë luftës së dytë botërore u vendosën në Kukës, aty kur i ati i tij u njoh me vajzën nga Luma e për të krijuar familje.

Zanatin e mori si përmbushje të dëshirës së të atit. Plot 55 vite si këpucar, profesion qe e mori në vitin 1964 gjatë shkollës se kurseve profesionale. Që nga ajo kohë nuk është ndarë nga zanati.

Hysamedini thotë se zanati i tij kërkon formim profesional dhe lidhet ngushtësisht me gjeometrinë. Këpucët e prodhuara nga duart e Hysamedinit 75 vjeçar ishin dhe janë sot e kësaj dite me emër. Te punuara në mënyrë artizanale as që krahasohen me prodhimet në seri.

Modelet i krijon vetë dhe çdo ditë përpiqet që t`ju përgjigjet klientëve me cilësi dhe shërbim të mirë. Ashtu si të tjerët edhe zanati i këpucarit nuk ka mundur t`i rezistojë kohës dhe po shuhet dita ditës, megjithatë Hysamedini thotë se sa të mundet do ta mbajë gjallë zanatin që i kushtoi jetën./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!