LIBRAZHD- Rrugëtimi i tij drejt arsimit nisi më shumë se pesë dekada më parë. Ishte shtatori i vitit 1971 kur Rexha Bashllari nisi ditën e parë të punës në fshatin Sopot. Një fillim i vështirë, mes rrugësh të panjohura, por që shumë shpejt do të shndërrohej në një kujtim të paharrueshëm.
“Shtator 1971 fillova punë në Sopot. Rrugën për në fshat e pata të vështirë sepse nuk njihja vendin dhe nuk njihja njerëzit. Madje gabimisht hipa në një makinë që shkonte në një fshat tjetër dhe më la rreth dy orë larg Sopoti. Pastaj një banor i fshatit më shoqëroi natën deri atje. Ishte errësirë, vend i panjohur, por mikpritja e atij banori bëri që të mos e harroj kurrë atë udhëtim.”
Në atë kohë kushtet në shkollë nuk ishin të lehta. Në Sopot kishte vetëm disa klasa dhe mësimi zhvillohej në ambiente të kufizuara.
“Në Sopot ishin katër klasa tetëvjeçare dhe vetëm dy dhoma mësimi. Bënim klasa kolektive. Kishte vështirësi, por nxënësit ishin shumë të mirë dhe njerëzit shumë arsimdashës, ndaj i kaluam lehtësisht.”
Vështirësitë nuk mungonin as në jetën e përditshme, që e detyruan të marri rrugën e emigracionit, duke lënë përkohësisht profesionin që donte.
“Arsyet që më detyruan të shkëputesha nga arsimi ishin ekonomike. Isha pa shtëpi dhe u detyrova të shkoja në emigracion për të krijuar kushte për familjen dhe fëmijët. Nuk isha mësuar të bëja punë të rënda, por u detyrova.”
Por ajo që e bëri këtë përvojë të paharrueshme ishte lidhja me komunitetin.
“Edhe pse kanë kaluar 55 vite, kam nostalgji për atë bashkëpunim me komunitetin e Sopoti. Ishin njerëz shumë bujarë e punëtorë. Madje më thoshin: pse të flesh në atë dhomë klase, eja fli në shtëpinë tonë. Na hapnin dyert e familjeve dhe na prisnin shumë mirë.”
Pas viteve të para në Sopot, rrugëtimi i tij si mësues vazhdoi në shumë fshatra të tjera të Librazhdit, ku la gjurmë në edukimin e brezave të tërë.
“Pas Sopoti punova në shumë fshatra të tjera, në Kuturman, në Babje, pastaj në Qukës-Shkumbin. Karrierën e mbylla në Qarrishte. Kudo që kam shkuar jam ndjerë shumë mirë.”
Sot, kur kujton vitet e mësuesisë, krenaria më e madhe për të janë ish-nxënësit e tij.
“Ndjej krenari kur shoh shumë nxënës që sot janë bërë dikushi në jetë. Ka nga ata që kanë mbaruar arsimin e lartë, janë bërë mjekë, inxhinierë e profesionistë të mirë. Kjo është kënaqësia më e madhe për një mësues.”
Sot, edhe pse në pension, ai vijon ta konsiderojë arsimin si një nga profesionet më të bukura dhe më fisnike, ndaj urimi I tij këtë 7 mars I dedikohet komunitetit të arsimtarëve./abcnews.al


