Lobimi në Shqipëri do të legalizohet. Qeveria ka bere gati draftin që përcakton rregulla të qarta sesi do të zhvillohet lobimi pranë institucioneve shtetërore me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e fshehtë apo korruptiv në politike.
Sipas projektligjit, lobimi do të mund të ushtrohet vetëm nga persona fizike ose juridike, të regjistruar në një regjistër të posaçëm të lobimit që do të administrohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
Ata kanë detyrimin që ta bëjnë publik qëllimin e lobimit dhe subjektin për llogari të të cilit vepron në çdo kontakt me zyrtarët publikë, të mos përdorë forma ndikimi të paligjshme ose korruptive, përfshirë dhurata, favore, premtime apo shpërblime të ndaluara.
Projektligji vendos mekanizma të detyrueshëm për deklarimin e kontakteve të lobimit, përfshirë raportimin nga vetë zyrtarët publikë që zhvillojnë takime apo komunikime me lobistë, si dhe kufizime për ish-zyrtarët e lartë publikë në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së lobimit pas përfundimit të funksionit të tyre.
Po ashtu ligji parashikon edhe masa apo sanksione administrative në rast shkeljesh.
Kështu përjashtohen nga lobimi ato individë, të cilët janë dënuar për vepra penale të renda, kanë detyrime tatimore të pashlyera apo janë në proces falimentimi apo likuidimi. Personat që janë dënuar për korrupsion, pastrim parash apo mashtrim nuk mund të ushtrojnë lobim për një periudhë 5-vjecare nga përfundimi i dënimit.,
Ligji ndalon lobimin në përfaqësim të shteteve ose institucioneve të huaja kur kjo bie ndesh me interesin publik, sigurinë kombëtare apo ligjet për financimin politik, duke parashikuar një shqyrtim të posaçëm për çdo kontratë të tillë.
Ndërsa për ato lobistë të cilët nuk respektojnë rregullat, përfshirë të dhënat e pasakta, burimin e financimit apo mosdeklarimin e kontratave lobuese do të përballën me gjoba deri në 5000 euro apo edhe në ndalimin e aktivitetit.
Qeveria thotë se projektligji “Për lobimin” është në përmbushje edhe të angazhimeve që burojnë nga grupkapitulli i Themeloreve”, ne procesin e negocimin me komisionin europian.

