ABC Story nis sezonin e ri këtë të shtunë me dokumentarin “Enver Hoxha, si i shfarosi themeluesit e Partisë Komuniste”.
Autori i emisionit ABC Story Ferdinand Dervishi, i ftuar në studio me gazetarin Ervin Kukeli solli detaje nga nisja e sezonit të ri të këtij cikli.
Sipas Dervishit, cikli i ri i dokumentarëve do të ketë një shumëllojshmëri temash në të cilat nuk do të mungojnë ato të një stili më të lehtë, siç janë ata në fushën e kulturës.
Dervishi theksoi se historia në temat e përzgjedhura, do të trajtohet si gjithmonë e bazuar në dokumente të shkruara.
LEXO edhe: Enver Hoxha, si i zhduku të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste-Abc Story
“Kam vënë re se disa dokumentarë që kemi bërë jashtë kësaj teme, si psh dokumentarë në fushën e kulturës, janë pëlqyer. Ne kemi bërë një dokumentar shumë të mirë për Lasgush Poradecin dhe për Zef Dedën, dhe herë pas here në këtë sezon të ri do e thyejmë këtë stil të rëndë, pra do të kemi edhe dokumentarë të stilit më të lehtë.
Kam vite që kërkoj dhe kam grumbulluar disa materiale për të realizuar një dokumentar për fatin e hebrenjve në Shqipëri, por nga ana dokumentare jo nga ana emocionale dhe shpirtërore, këto janë disa nga temat që do të sillen në sezonin e ri të emisionit ABC Story.
Përdoret një shprehje shumë goditëse ku thuhet se jemi i vetmi vend në Europë ku hebrenj pati më shumë pas luftës se sa përpara luftës, që do të thotë se hebrenjtë u shtuan, lindën ose erdhën nga vendet e tjera.
Në Berat psh, ka qenë një lagje me hebrenj, unë jam duke grumbulluar materiale për këtë histori. Diku kam gjetur të shkruar se nëse në atë kohë gjermanët do të godisnin hebrenjtë do të mbaronte jeta në qytet, pra ata mbanin edhe peshën e jetës në qytet.
Pasi kam lexuar “Kujtimet e Kadri Cakranit” kam ardhur në përfundimin se vazhdojmë të kemi në mendjen tonë historinë që na ka dhënë Enver Hoxha për Shqipërinë e Luftës së Parë Botërore.
Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur. Pak a shumë kjo është ajo çfarë mban të orientuar emisionin që unë vazhdoj më shumë se 10 vjetësh ta realizoj. Ta sjellim historinë siç është e vërteta”, tha gazetari.
Gjatë bisedës në studio Dervishi sqaroi edhe faktin se përse ka patur kaq shumë tema të trajtuara gjerësisht për diktatorin Enver Hoxha.
Dervishi tha se trajtimi i tyre ka të bëjë me faktin se në 45 vjet shqiptarët kanë mësuar, dhe dinë një histori të manipuluar.
Gazetari tha se qëllimi i trajtimit të këtyre temave në emisionin “ABC Story”, është të sjell tematika historike të asaj kohe, bazuar në dokumenta, dhe të rrëfyera nga shumë njerëz dhe jo ashtu siç e ka servirur Hoxha për njerëzit.
Një histori, -theksoi Dervishi, nuk ka vetëm një rrëfimtar.
“Përse ne kemi këtë cikël? Përse vazhdojmë të nxjerrim një histori që duket sikur është shkundur apo sikur është lodhur, por nuk është kështu. Në kemi 45 vjet të panjohura.
Enver Hoxha manipuloi një histori që nuk ishte ashtu siç ja u servirte njerëzve, që e bëri ashtu siç e donte ai dhe më pas një numër i madh historianësh, që kishin edhe peshën e historisë në vitet e komunizmit, kanë 30 vjet që mbajnë të njëjtën peshë dhe për kaq shumë vite mbajnë të njëjtën linjë.
Janë të paktë ata që janë tërhequr, njëkohësisht shumë pak hapësirë i është dhënë palës tjetër, të nxjerrë anët dhe faqen tjetër të historive. Një histori nuk ka vetëm një rrëfimtar. Që të jetë sa më e plotë një histori duhet të shihen disa rrëfime, me disa këndvështrime.
Këtë bëri Enver Hoxha, devijoi historinë duke treguar se ai ishte fitimtari dhe historinë e shkroi vetë, por kjo nuk është historia. Ne edhe sot vazhdojmë të fabrikojmë në Shqipëri një histori me personazhe negativë dhe personazhe pozitivë, njëlloj si në komunizëm, me të “tyret dhe të tanët”.
Edhe partitë politike, po të shohësh mbështesin historianë të pjesës së vjetër e një tjetër mbështet atë që i intereson. Dilema qëndron në faktin se sa është vendosur në balancë, dhe sa është dëgjuar kjo pala tjetër, pjesa tjetër e historisë”, sqaroi Dervishi.
N.D./abcnews.al