Në Athinë vijojnë debatet për sa i përket negociatave për cështjen e emrit me Maqedoninë, ndërsa në datën 6 qershor në qytete të ndryshme greke janë parashikuar protesta kundër përdorimit të emrit Maqedoni nga vendi fqinj.
Një ditë pas deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë Zaev se duhet ende kohë për të saktësuar detajet teknike para se të ndodhë biseda telefonike me homologun grek Tsipras, zëvendës ministri grek i mbrojtjes Kuvelis tha se Zaev po ndikohet nga zhvillimet në vend. Ai shtoi se zhvillimet në negociatat për emrin, në këtë fazë janë të paparashikueshme.
Nga ana tjetër ministri i Brendshëm grek, Skurletis theksoi se tani është moment i favorshëm për zgjidhjen e emrit përderisa qëndrimi i qeverisë greke është i qartë. Skurtelis theksoi se qeveria greke është e vendsur pavarësisht se partneri i koalicionit, “Grekët e Pavarur” është kundër zgjidhjes me termin “Maqedoni” dhe akuzoi partinë më të madhe opozitare, “Demokracia e Re” se po ndryshon qëndrimet. Por në të njëjtën mënyrë i është kundërpërgjigjur edhe nënkryetari i Demokracisë së Re, Hasidakis. Ai akuzoi Qeverinë se nuk ka konsensus të brendshëm dhe se nuk informon opozitën, duke shprehur edhe pesimizmin e tij për arritjen e zgjidhjes.
Ndërkohë dy vendet janë në pritje të bisedës telefonike mes kryeministrave, Zaev e TSipras për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar. Më 6 qershor në shumë qytete të Greqisë do të protestohet kundër përdorimit të termit Maqedoni. /abcnews.al

