Një “grup vdekjeje” dhe shumë duele klasike dolën nga shorti i Championsit hedhur në Montekarlo

schedule12:23 - 30 Gusht, 2019

schedule 12:23 - 30 Gusht, 2019

Një “grup vdekjeje” dhe shumë duele klasike dolën nga shorti i Championsit hedhur në Montekarlo. Barcelona, Dortmundi dhe Interi do të ndeshen për vetëm dy vende kualifikuese

“Llogari të vjetra” dhe duele të rinj ishin ato që dolën nga vazot e shortit të Championsit në Pallatin “Grimaldi”, në luksin e Montekarlos.

Së pari le të veçojmë “grupin e vdekjes”, grupin F, ku Barcelona, Dortmund e Inter duket se do të luftojnë për dy vendet e para dhe për kualifikimin, ndërsa Sllavia e Pragës do të synojë të shkaktojë të papritura, me tifozët e saj që të paktën do të lumturohen se në stadiumin e tyre do të vijnë gjigandë si skuadra dhe si lojtarë.

Anglezët morën frymë të lehtësuar dhe komenti i “Deili Meilit” ishte kuptimplotë: Rruga e Lehtë, “Izi Strit” (Easy Street), a thua se po emërtonte ndonjë rrugë në Londër apo Liverpul.

Të katër përfaqësuesit e Madhërisë së saj, Mbretëreshës Elisabetë, mund të ndihen të kënaqur.

Liverpuli, në grupin E, do të ndeshet me Napolin, Salcburgun e Genkun belg, ndërsa Totenhemi nënkampion i Europës, do të jetë në “vathë” me Bajernin, Olimpiakosin e Crvena Zvezdën në grupin B.

Mançester Siti, që cilësohet si favorit për fitoren e trofeut “me veshë” për këtë edicion, gjithashtu nuk u nda keq në Principatë.

Ekipi i Guardiolës u shortua me Shahtarin e Donjeckut, Dinamon e Zagrebit dhe Atalantën e Berat Gjimshitit.

Duele që mbahen mend do të përsëriten, si ai Crvena Zvezda-Bajern, që u ndeshën në 1991 kur serbët (atëherë si jugosllavë) dolën kampionë të Europës.

Sërish Barcelona-Inter, ashtu si vjet në grup, dhe ashtu si sfida Murinjo-Guardiola.

Po ashtu “luftërat” e vjetshme, Liverpul-Napoli, me emocionet e jashtëzakonshme deri në minutat e fundit, si dheJuventus-Atletiko, ku Kristiano Ronaldo rriti legjendën e tij duke shënuar tri herë për italianët.

Nuk harrohen duelet e kaluara në fazën me eleminim, Real-PSG.

Favorit për fitimin e trofeut është Mançester Siti, ndjekur nga Barcelona, Liverpuli dhe Reali i Madridit.

Faza e grupeve nis në 17-18 shtator dhe përfundon në 10-11 dhjetor./ABC News Albania 24/7