Periudhë aspak e mirë për Chelsea dhe ai që rrezikon është Frank Lampard. “Blutë e Londrës” u mposhtën lehtësisht 1-3 nga Manchester City dhe tani renditen në vend të tetë në Premier League, larg pritshmërive të drejtuesve, të cilët nuk u kursyen në merkato verën e kaluar.
Ekipi ka fituar vetëm një ndeshje në gjashtë takimet e fundit në kampionat. The Athletic raporton se pozitat e Lampard në pankinë janë lëkundur shumë. Chelsea e presin dy transferta radhazi në Premier: kundër Fulham dhe Leicester City.
Dy përballje që duhen fituar me çdo kusht, teksa Roman Abramovich e ka gati zëvendësuesin. Dëshira e madhe e bosit rus është Thomas Tuchel. Gjermani u shkarkua pak ditë më parë nga PSG dhe do e mirëpriste me kënaqësi një kalim në futbollin anglez. /abcnews.al