Kancelari gjerman, Olaf Scholz, nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë. Ardhjen e tij e quajti një lajm shumë të mirë kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ai me vete do të sjellë “gjallërim” për Procesin e Berlinit.
Këtë deklaratë Kurti e bëri pasi argumentoi arsyet e tij për refuzimin e pjesëmarrjes në Ballkanin e Hapur, ndërsa edhe një herë përsëriti zotimin e tij ndaj Procesit të Berlinit.
“E kemi një lajm shumë të mirë që do të na vijë për vizitë zyrtare nesër kancelari gjerman, Olaf Scholz, me një lloj rifreskimi dhe gjallërimit të Procesit të Berlinit si mision kryesor”.
Po ashtu, kryeministri Kurti tha se janë bërë përgatitjet për mikpritjen e kancelarit gjerman.
“Ne do t’i bëjmë mikpritjen më të lartë shtetërore”.
Po ashtu, Kurti e cilësoi si lajm shumë të mirë edhe anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në Beograd, duke thënë se kjo u bë falë dy tri shteteve të NATO-s, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. /abcnews.al/