Një ditë pas protestës së 10-të të opozitës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në rrjetet sociale. Kryedemokrati ka falenderuar qytetarët që morën pjesë në protestë dhe ju premton atyre se prioriteti i tij është ndryshimi dhe fundi i tranzicionit.
“Mirënjohje të thellë dhe falenderime nga zemra për të gjithë ata që na janë bashkuar në betejën kombëtare për Shqipërinë si gjithë Europa. Bashkë do ta largojmë këtë qeverisje antipopullore dhe antikombëtare. Sa më parë, aq më mirë për Shqipërinë!
Detyra më e madhe, prioriteti numër një, është t’ju japim shqiptarëve ndryshimin e vërtetë, fundin e tranzicionit, Shqipërinë e lirive, mundësive dhe mirëqenies për të gjithë”, shkruan Basha.
Me të njëjtin kusht të panegociueshëm pas bojkotit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, opozita protestoi paqësisht ditën e hënë (8 Korrik) në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Basha e cilësoi referendum kundër të keqes 30 Qershorin, teksa poshtë zyrës së kryeministrit të rinjtë demokratë vendosën në mënyrë simbolike fletët e votimit me mbishkrimin “Rama Ik”.