Një dimër rus në Kiev? Leksionet e hidhura për Putinin nga Hitleri dhe Napoleoni

schedule11:44 - 24 Tetor, 2022

schedule 11:44 - 24 Tetor, 2022

Nga Anna Akage “Worldcrunch”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Rusët dhe ukrainasit kanë një shprehje të përbashkët kur moti bëhet shumë i ashpër: “Përveç të gjitha fatkeqësive tona, stinës janë katër”. Dimri pa dyshim është më i ashpri, dhe ishte ai sezon që zgjodhi Vladimir Putin për pushtimin e 24 shkurtit, edhe pse planet e tij për të pushtuar Ukrainën deri në pranverë kanë dështuar prej kohësh.

Vjeshta aktuale është karakterizuar nga përparimet e mëdha të ushtrisë ukrainase në fushën e betejës, por edhe nga vendimi i Putin për të goditur me raketa dhe bomba civilët nëpër qytetet anembanë vendit, qoftë me goditje të drejtpërdrejta mbi godinat e banimit, por edhe me atë që tek e fundit mund të jetë edhe më brutale në planin afatgjatë: shkatërrimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Vladimir Putin e di se dimri po vjen sërish. Tashmë, rreth 30 për qind e sistemit energjetik të Ukrainës është dëmtuar ose shkatërruar. Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë filluar,
dhe në disa qytete nuk ka pasur energji elektrike apo ujë për më shumë se një javë.

Jetë nën acar për 4 muaj me radhë

Strategjia e Putinit synon t’i japë Ukrainës një goditje të dyfishtë, pasi sulmet ruse mbi termocentralet dhe nënstacionet gjatë 2 javëve të fundit, e kanë detyruar qeverinë në Kiev të njoftojë pezullimin e eksporteve të energjisë.

Siç e theksoi Ministri ukrainas i Energjisë, Herman Galushchenko: “Eksporti i energjisë elektrike nga Ukraina, e ndihmoi Evropën të reduktonte ndjeshëm konsumin e burimeve ruse të energjisë”.Evropa ka filluar tashmë të dyshojë nëse ndikimi i luftës mbi çmimet e energjisë, do t’ia vlejë mbështetjen e saj për Ukrainën, veçanërisht kur të nisë i ftohti. Putin po përpiqet ta ngrijë Kievin nga jashtë dhe nga brenda. Tani është koha të kujtohet se si është një dimër ukrainas: 4 muaj të plotë me acar, borë dhe erë.
Me sulmet e Putinit ndaj infrastrukturës, në rrezik nuk është thjesht kostoja e energjisë, por që ajo mund të ndërpritet plotësisht. Vendet ku i ngrohti ndërpritet për një kohë të gjatë mund të bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes, veçanërisht për të sëmurët dhe të moshuarit, raporton abcnews.al.

A do të ketë ngrohje Ukraina këtë dimër?

Tashmë ukrainasit po përgatiten për më të keqen. Maxim Tymchenko, që drejton kompaninë më të madhe private në sektorin energjetik të Ukrainës, është i kujdesshëm në vlerësimin që bën: “Unë nuk besoj se do të kemi një Apokalips. Megjithatë, derisa nisi nuk besoja se Rusia do të niste një luftë ndaj nesh. Gjithçka është e mundur, por unë kam besim se do t’i kapërcejmë këto sfida”.
Nga ana e tij, eksperti i energjisë, Victor Kurteyev, druhet se dimri për Ukrainën do të jetë
më i keq nga sa e imagjinon shumica: për shkak të bombardimeve, por edhe për shkak të mungesës së përgatitjes teknike të shumë termocentraleve të mëdha, si dhe mungesës së rezervave të mjaftueshme të qymyrit.
“Sistemi energjetik është ndërtuar në atë mënyrë, që në rastin e dëmtimit të një ose dy nënstacioneve, nuk do të ndodhë asgjë kritike. Por nëse konsumi e tejkalon sasinë që prodhohet, sistemi do të shkëpusë konsumatorët nga rrjeti elektrik”- shpjegon Kurteyev.

Kujtimet e Leningradit

Në këtë pikë, është e vështirë të habitesh nga niveli i cinizmit dhe mizorisë së Putin. Ne duhet të kujtojmë faktin se ai lindi në qytetin që sot quhet Shën Petersburg. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti quhej Leningrad, dhe vendi i njërit prej rrethimeve më brutale që ka parë historia: gati 900 ditë bllokadë gjatë sulmit të nazistëve, rreth 1.5 milionë të vdekur, 97 për qind e të cilëve nga uria dhe të ftohtit.

Kur ishin rusët ata që mbroheshin nga pushtuesit, stinët ishin edhe miq edhe armiq. Bora dhe ngrica ishin dy shkaktarë të vuajtjeve të mëdha të rusëve gjatë kohës së luftës. Por në fund ato ndihmuan në mposhtjen e Napoleonit në vitin 1812 dhe të Hitlerit në vitin 1942.

Nga këtu buron edhe termi “Dimri rus”, një fjali që nuk ngjall imazhet e kartolinave dhe të vatrave me zjarr për Krishtlindje, por humbjen e ushtrive të huaja dhe gjendjen e dëshpëruar të civilëve.
Kur Rusia sulmoi Ukrainën, bota u kthye përmbys. Putin dërgoi një ushtri që nuk ishte e përgatitur për luftë në Ukrainë, dhe aq më pak e përgatitur për dimër (e mbani mend deklaratën “Pushtojmë Kievin për 3 ditë”). Dhe tani ai po përpiqet të kompensojë disi humbjet duke e privuar Ukrainën nga burimet e saj energjetike.

Kujtesa gjenetike e luftës, urisë dhe të ftohtit, është ende shumë e fortë si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë. Ajo është pa dyshim e gjallë edhe tek Putinit, dhe ndihmon në shpjegimin pse ai po e kalon vjeshtën e tij duke mbjellë terror mes civilëve në Ukrainë, për t’i privuar nga i ngrohti, për t’u vjedhur grurin, dhe për t`i shndërruar në gërmadha qytetet e tyre.

Stërgjyshja ime, emrin e të cilës mbaj unë, i mbijetoi dy zive të bukë s dhe Luftës së Dytë Botërore. Ajo vdiq në moshë të madhe, e rrethuar nga fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e saj, në rehati dhe në paqe. E megjithatë, deri në ditën e saj të fundit të jetës, para se të flinte në mbrëmje, ajo vinte një copë bukë nën jastëk. Ka stinë që nuk i harrojmë kurrë.

/abcnews.al