Një Botëror pa Gjermaninë dhe me gola shqiptarësh

schedule15:46 - 29 Qershor, 2018

schedule 15:46 - 29 Qershor, 2018

Kupa e Botës në Rusi ka pasur shumë të papritura, si dhe pretendentë që kanë zhgënjyer deri tani. Në Rusi ka pasur edhe polemika dhe disa gola të lojtarëve me origjinë shqiptare.

Është mbyllur vetëm një fazë, por Botërori ka qenë si asnjë tjetër. Një eleminim i madh ndodhi që në grupe, ndoshta ai që pritej më pak, i Gjermanisë.

Kampionët në fuqi, katër herë fitues të kupës së artë, u kthyen në shtëpi pas humbjes me Korenë e Jugut, e para herë që i ndodhi në 80 vjet. Me Italinë e Holandën që nuk ishin fare në Rusi, Gjermania u bë viktima e parë e madhe.

Argjentina e Lionel Messit iu afrua shumë këtij fati, por iu shmang vetëm 4 minuta para fundit, kur një golshënues i panjohur dhe i papritur, mbrojtësi Marcos Rojo shënoi golin e fitores ndaj Nigerisë.

Gjigandët nga Amerika e Jugut u turpëruan keq nga Kroacia, të mundur 0-3, si dhe u mbajtën në barazim nga Islanda e vogël. Messi e pati shumë të vështirë, por e la një shenjë duke shënuar ndaj Nigerisë. Brazili u duk pretendenti më bindës ndaj gjithë atyre që u parashikuan të tillë.

Edhe pse u ndalën në barazim nga Zvicra, edhe pse fituan vetëm në minutat shtesë ndaj Kosta Rikës, pesë herë kampionët e botës treguan nivel të lartë herë pas here, falë përvojës se yjeve të mëdhenj në përbërje.

Kandidatët e tjerë për titull nuk është se ngrohën shumë. Spanja u trondit nga largimi i trajnerit Lopetegui, ndërsa kampionët e saj me shumë emër dhe përvojë, u dukën të lodhur e pa dëshirë. Formacioni i trajnerit Hierro rrezikoi shumë, dhe duhet të ndryshojë nëse dëshiron të ketë sukses.

Edhe më dobët Franca.

Me më shumë yje ndoshta sesa çdo ekip tjetër, francezët nuk bindën aspak me lojë, ndonëse nuk rrezikuan kualifikimin në një grup relativisht të lehtë. Vetëm 3 ekipe morën pikë të plota në grupe. Belgjika, Kroacia dhe Uruguaji ishin të tillë, edhe pse përshtypje më të madhe për lojën e zhvilluar bënë belgët dhe kroatët.

Për Këpucën e Artë, pra për golshënuesin më të mirë, duket se do të luftohet shumë. Harry Kane kryeson me 5 gola, ndjekur nga Cristiano Ronaldo e Romelu Lukaku me nga 4. Është po ashtu një botëror nën shenjën e shqiponjës.

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri festuan në mënyrë shqiptare golat e shënuar për Zvicrën ndaj Serbisë, në një ndeshje të veçantë për ta. Pati polemika, kritika e lavdërime, por jo pezullim nga FIFA. Lojtarët me origjinë shqiptare kanë shënuar 4 gola në grupe. Xhaka, Shaqiri e Blerim Xhemaili për Zvicrën dhe Adnan Januzaj për Belgjikën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!