Një biletë sa një shtëpi/ Kajolli: Çmimet përcaktohen nga kërkesat, pse artistët botërorë nuk mund të realizojnë koncerte në Shqipëri

schedule16:56 - 1 Tetor, 2024

schedule 16:56 - 1 Tetor, 2024

Çmimet e biletave të koncerteve të yjeve botëror janë kthyer tashmë në virale. Kjo pasi po kapin vlera marramendëse, deri te çmimi i një shtëpie.

Në një lidhje me Skype për “Faqja 4”, drejtuesi Ekzekutiv i Vivere Ticketing, Arnold Kajolli ka thënë se çmimet e koncerteve përcaktohen nga kërkesat e tregut.

“Duhet marrë parasysh që çmime të tilla, kompanitë i përdorin për promo. Por çmimi mund të vendoset dhe në bazë të algoritmit dhe kërkesave.

Edhe unë kam blerë biletë për Cold Play 130 euro në Athinë, por më pas çmimet shkuan në 700 euro, pasi bileta kaloi dorë më dorë dhe u rrit çmimi. Kështu funksionon dhe në Shqipëri, për biletat e ndeshjeve”.

Më tej, ai shtoi se koncertet e Cold Play dhe Adele, janë tashmë ngjarje, të cilat duhet të përjetohen nga të gjithë, prandaj dhe numri i shqiptarëve që duan të shkojnë rritet dita-ditës.

Sakaq, Kajolli ka thënë se në Shqipëri është pak vështirë të realizohen koncerte të artistëve ndërkombëtarë, pasi tregu është i vogël.

“Është një ndodhi që duhet ta përjetosh në jetë, nuk është thjesht një koncert. Patjetër tani është shtuar goxha. Tik tok bën punën e vetë dhe koncertet preferohen më shumë.

Nga 150 deri në 300 euro mund të variojë një biletë për një koncert, por duke shtuar dhe kostot e tjera, hotel, ushqim, vetëm për fundjavë mund të shkojë deri në 1500 euro. Por duhet thënë që kur ka koncerte me çmimet e hoteleve abuzohet.

Ne kemi munduar të sjellim artistë të huaj, por është pak e vështirë, sepse për sa kohë janë rritur çmimet e biletave është rritur dhe kosto e artistit. Në Shqipëri është shumë e vështirë, pasi biletat duhen shitur me një çmim të lartë dhe nëse në Greqi mbushet stadiumi, këtu ne është pak me rrisk”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!