Një arbëresh për Europian/ Trajneri i Shqipërisë U17, Tedesco për ABC News: Një moment unik

schedule12:35 - 4 Prill, 2025

schedule 12:35 - 4 Prill, 2025

Siç e thotë edhe vetë, paska qenë diçka si e paracaktuar. Andrea Tedeskos I takoi nderi dhe përgjegjësia të drejtojë Shqipërinë U17 në fazën finale të Kampionatit Europian, që për herë të parë organizohet në vendin tonë. Italiani 40-vjeçar, në intervistën ekskluzive për Abc News, tregon fillimisht emocionet për shortin.

“Gjatë shortit pati nga ata që donin më shumë një ekip sesa një tjetër. Personalisht, duhet pranuar se kisha një dëshirë më të madhe për Italinë, sepse jam italian, por me origjinë arbëreshe. Kam lindur në Itali dhe jam rritur aty. Italia do të ishte më tërheqëse për mua. Gjithsesi, në një nivel të tillë, çdo rival është një sfidë e vështirë nga ana psikologjike, teknike dhe fiziko-atletike. Duhet të jemi të zotë për ta përballuar këtë moment. Të japim maksimumin tonë dhe me mentalitetin se jemi në një situatë që mund të ndodhë vetëm një herë në jetë. Kjo është një ngjarje ndoshta unike për shumë nga ne. Le ta shfrytëzojmë siç duhet këtë moment, ta shijojmë”.

Pra, një arbëresh drejton Shqipërinë U17 në një Europian.

“Po. Prindërit e mi janë italianë, por njëri gjysh i mamasë sime ka lindur në një komunitet arbëresh në Kalabri, në provincën e Kozencës. Unë dhe vëllai im kemi kaluar shumë kohë edhe tek gjyshërit nga mamaja, dhe shpesh ata na thoshin ndonjë fjalë shqip, nga tregonin histori. Ne dimë se mbiemri i tij ishte Mirakoma, ishte Mirakoi. Edhe tani flas shpesh me familjen e tij dhe më tregojnë për origjinën, dhe ndoshta vetë fati e deshi që unë të vija në këtë eksperiencë këtu. Jam shumë i kënaqur”.

Në grup do të jemi me Francën, Gjermaninë, Portugalinë. Çfarë mund të bëjmë ne këtë shoqëri “ferri”?

“Po, e qartë që në Europian janë kualifikuar ato skuadra që e kanë merituar. Ne jemi vendi pritës dhe jemi kualifikuar si të tillë. Të gjitha ato që marrin pjesë janë skuadra të mëdha, kombëtare të mëdha, që kanë një organikë shumë të gjerë lojtarësh, por edhe ne kemi kemi kaluar periudhën tonë të formatimit. Kjo ka nisur para meje, dhe ka vazhduar pasi kam ardhur unë, që e kam pasur këtë mundësi në gusht 2024. Jemi përpjekur të kemi një skuadër me shumë lojtarë, duke kërkuar në vend, por edhe jashtë tij, më të mirët për sot dhe për të ardhmen, që të ndihmojnë edhe kombëtaret më të rritura. Ky është një udhëtim që ka nisur që në U15 dhe U16, dhe për shumë prej tyre duhet të vazhdojë edhe më lart. Ndoshta nuk do t’ia dalin të gjithë, por disa do të ecin përpara. Ne e ndjejmë këtë përgjegjësi dhe do t’i shoqërojmë lojtarët në një udhëtim virtual që nuk përfundon me Europianin në maj 2025 këtu në Shqipëri, por që duhet të ketë një vazhdimësi. Në futbollin e moshave vlen paraqitja, por edhe rritja e djemve. Duhet të kemi durim, dhe të mos përqëndrohemi vetëm tek rezultatet që janë një komponent i vogël në këtë nivel”.

A e ka të qartë trajneri ekipin për në Europian, apo priten ndryshime?

“Pak a shumë kemi mundësi të zgjedhim mes 35 apo 40 lojtarëve. Kuptohet që do të përpiqemi të zgjedhim më të mirët, edhe nga ana teknike, edhe nga personaliteti. Duam ata që do të jenë më shumë gati. Do të duhet të përballemi me të papriturat apo ndryshimet që do të ndodhin që tani e në të ardhmen. Pra, kush është më mirë, kush arrin në grumbullim në formë më të mirë. Nga këta, do të zgjedhim 20 që do të marrin pjesë në fazën finale. Besoj se do të ketë edhe ndonjë lojtar më shumë sepse ngarkesa do të jetë e madhe, dhe në fund të sezonit lojtarët mund të kenë vështirësi. Pra mund të ketë ndryshime. Gjithsesi, pak a shumë i kemi idetë e qarta. Bashkë me drejtorin dhe me stafin, do të bëjmë edhe një analizë të fundit përpara grumbullimit. Në 15 ditët e para të majit besoj se do të jemi bashkë”.

Në kombëtaren e rritur shumica e lojtarëve kanë lindur e janë formuar jashtë.

Përse kjo dukuri, dhe si është situata tek Shqipëria U17?

“Ne kemi në ekip disa lojtarë nga kampionati shqiptar. Do të duhet të luftojnë me të tjerët që të fitojnë vendin e tyre dhe të jenë në Europian. Sot, çdo kombëtare shkon të gjejë lojtarë jashtë. Kjo, për shkak të emigracionit të madh. Ne marrim lojtarë që kanë lindur jashtë dhe janë të brezit të dytë. Kjo ndodh në Shqipëri, në Itali, në Gjermani, në Lukseburg. Shqipëria nuk është rast i veçantë. Unë kam qenë nëpër akademitë në Shqipëri, në ekipet e moshave. Shoh se punohet mirë me të rinjtë, të paktën flas për moshën 16-17 vjeç, me të cilën merrem. Nuk besoj se është një problem. Ky është një moment i caktuar shoqëror dhe sportiv”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!