Një anëtar i Hezbollah shpallet fajtor për vrasjen e ish-kryeministrit Rafic Hariri

schedule18:10 - 18 Gusht, 2020

schedule 18:10 - 18 Gusht, 2020

Salim Ayyash, anëtar i Hezbollah, i akuzuari kryesor në procesin mbi vrasjen e ish Kryeministrit të Libanit Refik Hariri, është shpallur fajtor nga gjykata speciale e OKB-së për Libanin.

Ndërkaq, tre të pandehurit e tjerë janë liruar nga procesi. Megjithatë, që të katër të pandehurit janë të arratisur.

Sipas  vendimit të gjykatës, Ayyash u përfshi në atentatin e 14 shkurtit të vitit 2005, kur shpërthimi i një kamioni me bombë në qendrën e Beirutit vrau ish kryeministrin Hariri dhe 21 persona të tjerë, ndërsa u plagosen 200 persona.

Për këtë atentat që në fillim shumë vende perëndimore fajësuan Hezbollahun, lëvizjen politike Shiite të mbështetur nga Irani.

Paradoksalisht, vrasja e Haririt në vend që të favorizonte Teheranin dhe Damaskun, përshpejtoi krizën, duke bërë që forcat pushtuese siriane të tërhiqeshin nga Libani.

Hezbollah, pas vrasjes së Haririt, i ka refuzuar akuzat duke folur për një komplot të thurur nga Izraeli për të dobësuar armiqtë e tij.

Në Liban, të gjithë dakordojnë mbi faktin që vendimi i gjykatës së Ajës do të rrisë tensionet politike, që tashmë kanë arritur kulmin pas shpërthimit në portin e Beirutit, episod ende me shkaqe pak të qarta.

Në lojë nuk është vetëm kontrolli i vendit të brishtë dhe të vogël mesdhetar, por i gjithë ekuilibri midis faktorëve rajonalë: nga Izraeli në Iran, nga Siria në Egjipt.  /abcnews.al/