Nisma për “Fondin e Komunitetit”/ Veliaj: Këtë vit e kemi dyfishuar

schedule12:56 - 17 Qershor, 2018

schedule 12:56 - 17 Qershor, 2018

Banorët e një tjetër lagje në kryeqytet shfrytëzuan mundësinë e ofruar nga Bashkia e Tiranës për të rikonstruktuar pallatin e tyre përmes Fondit të Komuniteteve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Sadri Abazi, inspektuan një pallat parafabrikat në rrugën “Njiazi Meka” Njësinë 4, i cili u rikonstruktua nga komuniteti i banorëve, në bashkëpunim me bashkinë.

“Jam i lumtur që banorët e një tjetër blloku pallatesh në Njësinë 4, e cila është zhvilluar shumë vitet e fundit, gjetën mirëkuptimin mes tyre dhe bashkëpunuan për të rregulluar ndërtesat parafabrikate, që fusnin brenda ç’sillte moti jashtë. Sot pallatet janë veshur me kapotë, gjysmën banorët, gjysmën Fondi i Komunitetit”, tha Veliaj, teksa shtoi se ky është pallati i shtatë i cili përfiton nga projekti i Bashkisë së Tiranës për bashkëfinancimin e projekteve infrastrukturore që adresojnë një problem të caktuar për komunitetin.

“Një te Libri Universitar, një te Komuna e Parisit, një te Njësia 4, që do të thotë se kur komuniteti bëhet bashkë, bashkia përgjigjet. Mund të jetë një cep i Tiranës ose një tjetër, mund të jetë brenda unazës ose jashtë, pallatet të reja ose të vjetra. Fakti që këto projekte janë shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme në gjithë bashkinë, do të thotë se ku ka bashkëpunim, ne do përgjigjemi”, deklaroi ai.

Falë ndërhyrjeve në pallatet ekzistuese, banorët përfitojnë jo vetëm një pallat estetikisht më të mirë, por njëkohësisht ulin shpenzimet mujore, pasi do të harxhojnë më pak për ngrohje. Veliaj nënvizoi se përmirësimi i infrastrukturës ka sjellë  edhe rritje të vlerës së pronës për qytetarët. “Automatikisht ulet 1/3 e shpenzimeve të energjisë elektrike. Është një shpenzim që lan veten sepse të kursen faturën. Jo vetëm kaq, por shtohet vlera e pallatit. Mjafton të krahasosh një pallat parafabrikat të paprekur, me një pallat parafabrikat të sapo veshur me kapotë; edhe estetikisht rritet vlera e pronës. Është i njëjti pallat, por ama, vetëm fakti që duket ndryshe, dhe ka këto shpenzime të kursyera, e bën një pallat më të vlefshëm”, shtoi ai.

Kryebashkiaku theksoi se është e domosdoshme që pallatet të zgjedhin kryesitë dhe administratorët e tyre. Ndaj, ai ftoi banorët e pallateve që ende nuk e kanë përfunduar procesin e zgjedhjes së administratorit, ta bëjnë sa më parë, pasi do jetë pikërisht ai që duhet të bëjë aplikimin për të përfituar nga Fondi i Komunitetit. “Nëse kemi bashkëpunim, pra fillimisht të zgjedhim administratorët, siç kanë bërë këto pallate, mund të bëjmë bashkë gjëra që më përpara nuk mund të bëheshin. Arsyeja pse bashkia e ofron këtë mundësi është që të nxisë komunitetet të bashkëpunojnë. Ajo që u propozojmë banorëve, edhe të lagjeve të tjera, është që të bëhen bashkë dhe administratori të vijë të aplikojë. Këtë vit i kemi dyfishuar fondet, do të thotë që mund të bëjmë dy herë më shumë pallate”, u shpreh Veliaj.

Deputeti i PS, Sadri Abazi, vlerësoi angazhimin e kryebashkiakut Veliaj për kthimin e Tiranës në një kantier ndërtimi në shërbim të qytetarëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!