Nisin punimet në stacionin e transferimit të mbetjeve në Himarë

schedule15:50 - 5 Gusht, 2019

schedule 15:50 - 5 Gusht, 2019

Nisin punimet për ndërtimin e stacionit të mbetjeve në Vumblo të Himarës. Ky investim sipas ministrit te Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi garanton ndarjen e mbetjeve në burim dhe ul koston e transportit.
Mbetjet urbane të qytetit të Himarës prej vitesh transportohen në landfillin e Bajkaj.  Transporti shoqërohet me kosto të lartë. Shumë shpejt mbetjet do të transferohen në Vumblo.  Punimet për ndërtimin e fushës kanë nisur.  Sipas ministrit te Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ky stacion do të garantojë ndarjen në burim të mbetjeve e njëkohësisht do të ule kostot.

“U krijua ky stacion, i cili është vetëm 7 km nga bashkia e Himarës, larg zonës turistike, në një zonë publike ku është bërë një investim për dy aspekte: E para për ndarjen në burim të të gjitha mbetjeve dhe për të siguruar riciklim në masë të madhe të mbetjeve të bashkisë Himarë, po ashtu një stacion tranzitor i mbetjeve për bashkinë e Himarës, i cili do të garantojnë edhe Bashkinë edhe sipërmarrësin privat që kostot do të përgjysmohen dhe po ashtu do kemi riciklim dhe një trajtim shumë më ndryshe të mbetjeve në bashkinë Himarë.”

Projekti është i qeverisë gjermane. Përmes tij ministri Klosi tregoi se janë siguruar dhe 700 kosha.

“Në qoftë se do të jemi të gjithë së bashku në këtë përpjekje, këtë sezon besoj do ta kemi shumë më të pastër Himarën, do të kemi një model shumë të mirë që do të duam ta implementojmë në disa bashki të tjera bregdetare, falë projektit të qeverisë gjermane dhe projekteve të tjera që mbështesin filozofinë e re të trajtimit të mbetjeve urbane në vendin tonë, për të garantuar sezon turistik të pastër dhe cilësor”.

Investimi gjithashtu pritet të ulë sasinë e mbetjeve që do të depozitohen në landfillin e Bajkaj, duke krijuar të ardhura shtesë për bashkinë Himarë, por edhe vende të reja punë në industrinë e riciklimit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!