Prej 31 korrikut drejt Barcelonës në Spanjë dhe 1 gushtit drejt Këlnit në Gjermani, dy herë në javë, do të mund të udhëtoni direkt nga Tirana duke paguar më pak.
“Wizz Air”, linja ajrore me kosto të ulët, njoftoi shtimin e dy destinacioneve të reja dhe vendosjen e avionit të pestë në bazën ajrore në Aeroportin Ndërkombëtar në Rinas.
Por synimi i kompanisë më rritjen më të shpejtë në Europë sipas Drejtorit Tregtar të “Wizz Air” George Michalopoulos është më shumë se kaq.
“Në tre- katër vitet e ardhshme ne do ta dyfishojmë flotën tonë të bazës së Tiranës dhe ky zhvillim parashikon lëvizjen e rreth 5 milionë pasagjerëve me Wizz Air, destinacione të reja nga Tirana dhe standard të lartë shërbimi. Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për aeroportin dhe për ne”, ka thënë ai.
Tashmë “Wizz Air” e lidh Tiranën me 29 destiancione dhe Shefi i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar Constantin von Alvensleben e sheh si një zhvillim thelbësor për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
“Fakti që Wizz Air stacionon pesë aeroplanë në Tiranë është një shenjë e madhe e besimit për këtë aeroport dhe rezultat e disa viteve të bashkëpunimit të suksesshëm. Ky fakt ofron një perspektivë të re për Shqipërinë duke e afruar vendin me Evropën. Jam i kënaqur të njoftoj angazhimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin me Wizz Air për një zhvillim thelbësor që do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, pas pandemisë dhe gjithashtu do t’u ofrojë konsumatorëve një gamë të gjerë destinacionesh të përballueshme me çmime të ulëta”, ka theksuar ai.
Të huajt, sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, kanë kthyer vëmendjen nga Shqipëria prandaj ai kërkoi prej bizneseve që operojnë në fushën e turizmit rritje të cilësisë së shërbimit.
“Siguria, standardet, cilësia e shërbimit do duhet të jetë një këshillë, po të doni edhe një kritikë për menaxhuesit e kësaj porte kaq të rëndësishme hyrëse për Shqipërinë. Mbase në korrik dhe gusht të arrijmë të shkojmë shumë pranë numrit të turistëve të vitit 2019, por padyshim 2022 do ta kalojë 2019”, është shprehur Klosi.
“Wizz Air” nisi historinë e tij në Shqipëri në prill të 2017-ës me fluturimin e parë nga Budapesti.
Prej atëherë linja ajrore ka transportuar nga dhe drejt Tiranës më shumë se 2 milion pasagjerë./abcnews.al/