Nisin aplikimet për skemën e bujqësisë, Denaj: 10 mijë aplikime vetëm ditën e parë, përfitojnë më shumë operatorët e bashkuar

schedule14:21 - 27 Mars, 2024

schedule 14:21 - 27 Mars, 2024

Kanë nisur aplikimet për subvencionet në bujqësi. Buxheti për këtë vit është 55 milionë dollarë dhe do të shpërndahet për afro 70 mijë fermerë nëse aplikojnë. Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj tha në një intervistë për “Money Report” në ABC News, se vetëm ditën e parë kanë aplikuar rreth 10 mijë fermerë.

Denaj u shpreh se ata që përfitojnë më shumë janë fermerët e bashkuar.

“Do të jenë fermerët, blektorët dhe bletarët por kemi edhe një risi të re, të gjithë ata që lidhen me bimët aromatike dhe medicinale dhe të gjithë fermat me serat. Serat besojmë se do to kontribuojnë drejpërdrejt edhe në nxitjen e eksportit. Nevoja për të vendosur limite ka qenë për të mundësuar një konsolidim të disa anëtarëve në nivelin minimal. Ne kemi një sipërfaqe gati 1 hektarë me 4 anëtarë që do ta kishim të bashkuar në një kontratë, jo bashkëpunimi por kontratë interesi. Ndodh në zyrat tona rajonale dhe të 4 anëtarët që janë pjesë e këtij bashkimi operatorësh vendosin të ndjekin të njëjtin protokoll të punës në serë dhe të kenë të njëjtin treg. Nëpërmjet kësaj synojmë cilësinë.

Kur flasim për 4 anëtarë duam t’u japim mundësi të gjithëpërfshirjes atyre që kanë sipërfaqe më të vogla dhe vetë do të përfitonin shumë pak. Kjo nuk do të thotë se skema pët ata që nuk do të bashkohen, do të jenë përjashtuese. Do të jetë për të gjithë aplikantët që plotësojnë kushtet por risia që dua të them është që do të marrim maksimumin e masës ata që janë të bashkuar. Ne do ta fillojmë procesin e disbursimit të fondeve në masën maksimale. Më pas, shuma e mbetur do të shpërndahet proporcionalisht tek të gjithë anëtarët që kanë aplikuar.

Nga ana tjetër, ne kemi hequr tavanet, të cilat këtë vit japin një mundësi për të nxitur këdo aplikues që të përfitojë më shumë sesa më parë, pasi nuk do të ketë më zero lek subvencion për ata që kanë më shumë se 300 bagëti të imëta apo 50 lopë sepse pas kësaj kategorie do të ketë përfitim por do të ketë 50 përqind të masës. Nga ana tjetër, nafta pa taksa, këtë vit do të shkojë si një përfitim në një vlerë ekonomike në lekë në llogarinë e fermerit.”, u shpreh ministrja.

Duke u ndalur tek nafta pa taksa, ajo tha se këtë vit do të shkojë si një përfitim në lekë në llogarinë bankare të fermerit. Ajo thotë se po punojmë me bankat që të lehtësojnë procedurat dhe kostot për fermerët.

“Ne jemi duke punuar që bankat të lehtësojnë procedurat dhe kostot për fermerët dhe do të kemi një marrëdhënie bashkëpunimi pas fazës së parë që është kjo e aplikimit dhe është tre javë. Dua të theksoj se ndërkohë që ne flasim janë bërë gati 10 mijë aplikime. Përllogaritja jonë është në 5.5 miliardë lekë. Vitin e kaluar ne dhamë një shumë të konsiderueshme falë mbështetjes së qeverisë me akti normativ me gati 51 milionë dollarë dhe përfituan gati 65 mijë fermerë. Që ky vit shuma të jetë pak më e lartë, 55 milionë dollarë dhe 70 mijë fermerë është legjitime. Tavanet buxhetore janë në nivel më të ulët por rishikimi i tavaneve në aspekt të likuiditetit është e mundur nëpërmjet aktit normativ. Do të shohim trendin e aplikimeve. Do të doja të kishim sa më shumë fermerë të bashkuar dhe të merrnin maksimumin.”, shtoi ajo.

Sipas Denajt “bashkimi i operatorëve, me të gjithë kërkesat për më shumë mbështetje direkte dhe nevoja për të ndjekur të njëjtin protokoll bujqësor, ndjekjen nga i njëjti agronom apo veteriner në rastin e bagëtive dhe pasja e një kontrate për të shitur produktin është rruga e duhur për të rritur ekonominë, rritur subvencionin dhe formalizuar këtë ndërmarrje.”

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!