Studentët e fakultetit ekonomik në Tiranë janë të parët që do të pajisen me kartë studenti. Shpërndarja e saj ka nisur. Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj ndoqën nga afër procesin.
Shpërndarja e kartës së studentit në Tiranë nisi nga Fakulteti Ekonomik. Të rinjtë do të kenë mundësi të përfitojnë prej saj mbi 60 shërbime publike dhe 40 private me çmime të reduktuara. Sipas kryeministrit Edi Rama gama e shërbimeve do të pasurohet më tej.
“Për momentin janë mbi 40 kompani private. Ndonjë le të themi gamë të larmishme, që nga kompanitë që shesin këto uniformat sportive, tek kompanitë që ofrojnë shërbime të tjera, deri tek bankat dhe kompanitë celulare. Kështu që është një proces që do ta pasurojë gamën e shërbimeve që mund të merren nëpërmjet kartës. “
Kryebashkiaku Erion Veliaj shpjegoi sesi karta do të funksionojë ndërkohë që tregoi dhe se shumë shpejt ajo do të jetë aktive dhe në versionin elektronik.
“Merret një kartë bosh fillimisht skanohet bar kodi që mund të përdoret në çdo dyqan dhe në çdo shërbim tjetër. Pastaj vihet për printim me të dhënat e çdo studenti, ku jep të dhënat personale, zgjedh sa herë do të informohet për ofertat“.
Pas fakultetit ekonomik karta do të vijojë të shpërndahet në fakultetin juridik dhe tek gjuhët e huaja.
“Në momentin që ka mbaruar 90 % e studentëve dhe dikush e ka humbur prej sezonit do të kemi për të gjithë grupin e studentëve tek rruga e Elbasanit, një zyrë permanente. Për gjithë grupin e fakulteteve tek shkencat një zyrë aty. Për gjithë universitetin bujqësor prapë një zyrë. Kemi rreth 100 mijë karta për rreth 80 mijë studentë. Kështu që, parashikojmë deri në fund të muajit shumica ta kenë marrë“.
Kryeministri Rama shpreson që shembulli i bashkisë së Tiranës të ndiqet dhe nga bashkitë e tjera.
“E kanë gati edhe eksperiencën, edhe sistemin, mjafton që ta vënë atë në punë. Ne do t’i shtyjmë, do t’i nxisim, e nëse nuk do na dëgjojnë, do ju lutemi dhe ju që të bëni një protestë tjetër tek dera e bashkisë dhe “duam kartat tona, duam kartat tona” dhe kjo gjë do realizohet”.
Procesi i aplikimit për kartë zgjat rreth 4 minuta, ndërkohë që bashkia parashikon që të gjithë studentët të pajisen me të deri në javën e parë të korrikut. /ABC News Albania 24/7