Nishani për zgjedhjet në PD: Maskaradë elektorale, edhe unë jam përgjegjës i kësaj situate

schedule15:03 - 13 Qershor, 2021

schedule 15:03 - 13 Qershor, 2021

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani pasi ka votuar për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, në një komunikim për mediat u shpreh se gara e brendshme është e pabarabartë.

“Nëse me 25 prill kemi pasur masakër elektorale të regjimit të Edi Ramës, sot kemi një maskaradë elektorale. Më vjen keq ta them sepse edhe unë jam përgjegjës i kësaj situatë, si mijëra demokratë që kemi lejuar që projekti i regjimit të PD të fitojë terren pak nga paka”, kështu u shpreh Nishani, ndërsa theksoi se askush nuk mund ta mbajë peng këtë parti.

“Partia Demokratike duhet të shihet si shpresa e shqiptarëve. Ndaj edhe kjo ditë sot ishte shumë e rëndësishme. Por edhe për vetë demokratët për të treguar në sytë e opinionit publik që ky mekanizëm i vetëm është i fortë që jo vetëm ta përballojë regjimin e bandave, por edhe të sjellë një model ndryshe me marrjen e pushtetit prej saj.

Për fat të keq, sot jo vetëm që nuk u realizua por dëshmoi të kundërtën. Nëse me 25 prill kemi pasur masakër elektorale të regjimit të Edi Ramës, sot kemi një maskaradë elektorale. Më vjen keq ta them sepse edhe unë jam përgjegjës i kësaj situatë, si mijëra demokratë që kemi lejuar që projekti i regjimit të PD të fitojë terren pak nga paka.

Sot kam një mesazh për të gjithë bashkëpunëtorët e mi, për bashkëthemeluesit e PD, për rininë e cila duhet të jetë në vijën e parë dhe t’u them se të gjithë ata që kanë marrë përsipër shkatërrimin e PD-së, kanë marrë përsipër një mision të pamundur. Partia Demokratike është ringritur nga hiri , ka pasur shumë sakrifica. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng këtë parti dhe ta bëjnë një forcë pa energji”, tha Nishani.

Ai më tej shtoi se këto zgjedhje për kryetar të ri të PD-së, i konsideron maskaradë sepse sipas tij nuk ka pasur një garë të barabartë dhe të ndershme.

“Nuk ka pasur garë të barabartë e të ndershme. Kandidatët e tjerë nuk kanë pasur asnjë mundësi reale. Disa përfaqësues në degën e PD që konsiderojnë veten gabimisht përfaqësues të Bashës, janë kryetarë nëpër rrethe dhe kanë refuzuar të zbatojnë vendimet e Këshillit Kombëtar për të organizuar takime të kandidatëve të tjerë. 50% e anëtarësisë është zhdukur brenda tre muajve”, tha më tej Nishani./i.k/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!