Nishani në ABC News: Lleshin nuk e shkarkova, doli në rezervë

schedule14:12 - 1 Nëntor, 2018

schedule 14:12 - 1 Nëntor, 2018

Në studion e emisionit “Byro Politike” në ABC News ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani tha se Sandër Lleshin nuk e ka shkarkuar, por ai është liruar sipas ligjit. Ish-Presidenti komentoi edhe vendimin e Gjykatës Administrative në favor të Lleshit.

Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një intervistë për ABC News ka folur për të propozuarin nga kryeministri Rama për postin e ministrit të Brendshëm pas largimit të Fatmir Xhafajt, Sandër Lleshi. Nishani ka shpjeguar çfarë ka ndodhur në 2013-n, kohën kur mbante postin e Presidentit dhe me dekret presidencial ka konfirmuar propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, për lirim nga detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

“Zotëria nuk ka qenë i shkarkuar, zotëria ka qenë i dalë në rezervë. Shumë telegrafikë, zotëria bashkë me shumë njerëz të tjerë iu nënshtruan rregullave që funksionojnë në ushtrinë shqiptare dhe në çdo ushtri të vendeve të NATO-s, qëndron në detyrë për aq kohë sa eparashikohet termi kohor me gradën përkatëse. Zotëria ishte Gjeneral Brigade dhe zëvendësshef i Shtabitë Përgjithshëm dhe kishte një afat katër vite që duhet të qëndrosh në këtë gradë. Në fund të katër-vjeçarit ti duhet të marrësh një gradë tjetër dhe duhet të ngjitesh në një shkallë hierarkie tjetër që të vazhdosh karrierën. Në momentin që nuk arrin të marrësh gradën dhe nuk kapërcen në një post më të lartë automatikisht del në rezervë dhe përfiton të gjitha benefitet e tjera që ligji. Jo në lirim. Ligji e detyronte të dilte në rezervë. Ministri i Mbrojtjes është autoriteti që ligji e detyron të bëjë propozimin, presidenti është i detyruar nga Kushtetuta për nxjerrjen e tij në rezervë”, u shpreh Nishani.

Vendim të cilin Lleshi e ka ankimuar në Gjykatën Administrative dhe ka fituar. Nonsens procedurial sipas Nishanit i cili kujton se dekreti presidencial nuk mund të trajtohej nga gjykata e cila dha vendim.

“Ka shkuar në Gjykatë Administrative si këshilltar i kryeministrit dhe ka atakuar dekretin presidencial. Një dekret presidencial mund të goditet vetëm në Gjykatë Kushtetuese, nuk mund të trajtohet dekreti presidencial si akt administrativ”, tha Nishani.

Sandër Lleshi, këshilltar i kryeministrit Rama për rendin u propozua për të zënë postin e ministrit të Brendshëm por mbetet ende në pritje të dekretit e presidentit Meta që e konfirmon në detyrë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!