“Nisa të pikturoj 3-vjeçe”, rrëfehet Liljana Çefa: Që në moshë të vogël kam pasur probleme me shikimin, u kujdes për mua piktori Lin Delia

schedule10:16 - 18 Shtator, 2024

schedule 10:16 - 18 Shtator, 2024

Piktorja Liljana Çefa është e ftuara e radhës në emisionin “Pas Mesnate”. Ajo ka rrëfyer në gjithë historinë e jetës dhe karrierës së saj në pikturë.

Ndër të tjera, Liljana ka treguar se nisi të pikturojë që në moshën 3-vjeçare dhe më pas konkuroi në Liceun Artistik, ku dhe fitoi.

“Piktura për mua është gjëja më e çmueshme, pas fëmijëve. Baba ishte kryetar komune dikur dhe më ka bërë një bangë të vogël, unë rrija gjithë ditën duke shkarravitur. Unë kam qene vetëm 3 vjeçe kur nisa të pikturoja dhe si çdo fëmijë e kam pasur si argëtim për të shkarravitur. Më vonë fillova ta kuptoja. Që në klasë të parë, të dytë, fillova ta kuptoja që kisha talent. Pastaj në klasën e shtatë, u realizua një ekspozitë në shkollën ’11 Janari’ dhe drejtori i shkollës Petrit Garuci ishte një njëri i mrekullueshëm, jepte fizikë. Ai donte të bënte çmos që të shkoja te Liceu Artistik në Tiranë, bisedojë me babën, por baba kishte hall se i shikonte konviktorët e paveshur, me njolla dhe mendoi se kështu do më shkojë dhe vajza, por në të vërtetë e mori përsipër daja ime dhe ai u interesua. Shkova në Liceun Artistik, ku fitova dhe konkursin”.

Më tej, ajo u ndal dhe te problemet shëndetësore që ka pasur me shikimin, duke theksuar që personi që e ndihmoi ishte piktori Lin Delia, i cili e mori të kurohet në Romë.

“Unë kam lindur në Tiranë se baba e kishte mik doktor Shirokën dhe e ka çuar nënën me avion nga Tuzi.

Unë kam pasur shumë probleme me sytë, sa ilaçe, doktora dhe pomada, por nuk u përmirësua. Vite më tej, u bë dhe më keq, por e kam përballuar. Kur pikturoja, lotoja, sytë më skuqeshin, dhe unë isha e re dhe mendoja që ashtu janë të gjithë si unë. Mirëpo, kur dola në pension në ’90, aty u bëra shumë keq. Kalonte një cop mishi dhe mi bllokonte sytë, nuk më linte me pa hiç. U bë operacioni i parë, i dytë, i tretë, kur mbaroi operacioni i tretë qëlloi që erdhi piktori Lin Delia”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!