Ky është momenti kur Trupat e Forcës Tokësore shqiptare u nisën në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte nga garnizoni i Zall-Herrit drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, duke shënuar fillimin zyrtar të stërvitjes së përbashkët “Defender Europe ‘25”. Trupat e njësisë elitë të ushtrisë shqiptare, do të zhvillojnë stërvitje intensive pranë trupave të NATO-s, përfshirë operacione mësymëse, mbrojtëse dhe dislokime strategjike në terren të vështirë.
Stërvitja shumëkombëshe, një nga më komplekset e dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë do të zgjasë deri në 9 qershor. ajo zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Evropiane të SHBA, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s.
Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara.
Stërvitja në vendin tonë përfshin operacione nga toka, ajri dhe deti. Forcat e Armatosura të Shqipërisë për herë të parë këtë vit demostrojnë pranë aleatëve me dronë. Po ashtu është planifikuar një operacion imbarkimi në portin e durrësit.
Ministria e Mbrojtjes thekson së Shqipëria mbeten e angazhuar për të siguruar një mjedis operacional të suksesshëm dhe për të kontribuar në mbrojtjen kolektive, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.
“Defender Europe ‘25” synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantike.
Gjithashtu ka për qëllim të rrisë gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe aftësinë e forcave të SHBA-së, NATO-s dhe vendeve partnere për të vepruar në mënyrë të koordinuar në një mjedis të ndërlikuar operativ.
Kjo stërvitje funksionon sipas nenit 5 të Traktatit të NATO-s, që simulon mbrojtjen kolektive të aleatëve në rast të një sulmi ndaj ndonjërit prej tyre.
Aktivitetet ushtarake do të përfshijnë një sërë operacionesh të shkallës së gjerë në disa shtete të Evropës. Rreth 12 mije trupa janë dislokuar vetëm në Ballkan. 4,000 trupa amerikane dhe 8,000 nga 19 vende aleate pjesëmarrëse.
Shqipëria dhe Kosova do të kenë fokus të veçantë, ku do të zhvillohen trajnime për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurimin e pikave të imbarkimit dhe menaxhimin e logjistikës së avancuar.
Për ministrinë e Mbrojtjes stërvitja e Forcave tona të Armatosura përkrah trupave të aleancës, do të demontrojnë angazhimin e palëkundur të vendit tonë ndaj aleatëve dhe partnerëve në NATO-s, ndërsa mesazhi është i qartë: NATO është e bashkuar, e përgatitur dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj./abcweb.al


