Për Biden një nga përparësitë kryesore të agjendës ishte politika e tij e brendshme dhe pas kësaj, duket se fokusi i Presidenti amerikan është Europa. Biden nis sot turin e tij 8 ditor në Europë, 5 muaj pas marrjes së detyrës.
I shoqëruar nga gruaja e tij Jill, Biden do të udhëtojë nga Uashingtoni këtë mëngjes për në Britani, ku do të qëndroje deri të dielën, ndërsa ndalesat e ardhshme të misionit të tij janë Brukseli dhe Gjeneva.
Ditën e nesërme, ai do të takohet me Kryeministrin Britanik Boris Johnson. Takimi me Johnson, si dhe me Mbretëreshën Elizabeth, i cili do të zhvillohet në Kështjellën Windsor të dielën, pritet të forcojë edhe më shumë “marrëdhëniet speciale” midis SHBA-së dhe Britanisë.
Por Biden nuk pritet të bie dakord për një marrëveshje për tregtinë e lirë që Kryeministri Britanik e kërkon me aq ngulm. Kjo për arsye se nuk ka siguri se Marrëveshjet historike të Paqes në Irlandën e Veriut nuk do të rrezikohen, ndërkohë që SHBA- ja ka luajtur një rol kryesor, raporton abcnews.al
Nga e premtja në të dielën në mëngjes, Biden do të marrë pjesë në samitin e G7 për të diskutuar rreth ndryshimit të klimës, rritjen e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit dhe teknologjinë. Sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, qëllimi kryesor i presidentit do të jetë “mobilizimi i demokratëve për të përmbushur sfidat më të mëdha të kohës sonë”, përfshirë rritjen e fuqisë kineze dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të ngushtë të vendit të madh aziatik me Rusinë.
Të hënën dhe të martën tjetër, Joe Biden do të marrë pjesë në samitin dy-ditor të NATO-s në Bruksel. Ai do të takohet me Presidentin turk Tayyip Erdogan. Temat kryesore që do të diskutohen do të jenë Rusia, Kina, sulmet kibernetike dhe ndryshimi i klimës, sipas një njoftimi nga sekretari i përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg.
Ndalesa e fundit e misionit europian të Biden pritet të jetë takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë të mërkurën e ardhshme. Sipas Sullivan, ky takim është mënyra më efektive për të diskutuar dhe menaxhuar diferencat midis SHBA-së dhe Rusisë./abcnews.al