Nis trajnimi i mjekëve për të zbuluar linë e majmunëve në Shqipëri

schedule16:10 - 23 Maj, 2022

schedule 16:10 - 23 Maj, 2022

Persona të prekur nga lija e majmunit janë zbuluar  dhe në vendet fqinje. Shqipëria aktualisht nuk ka të infektuar prej saj, por a jemi të rrezikuar?

“Natyrisht risku ekziston, është i ulët, por vëmendje dhe vigjilenca duhen shtuar .”

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino tregon se për të dalluar linë e majmunit nga sëmundje të ngjashme kanë nisur trajnimet me mjekët.

“Mjekët mund ta ngatërrojnë, por ka elemente të rëndësishme për tu ditur. Nis me temperaturë rritje të gjendrave limfatike shenja në lëkurë.  Nisin nga fytyra, pëllëmbët shputat dhe në të gjithë trupin. Kalon në disa faza.”

Sëmundja tregon mjekja  prek çdo moshë,  zgjat rreth një muaj, përgjithësisht kalon lehtë, por tek personat me probleme të imunitetit mund të shkaktojë humbje jete.

“Zgjat deri 4 javë dhe është infektuese derisa zhvishet lëkura. Duhet të jemi të kujdesshëm mos prekim sytë se mund te çojnë në verbim.  Ata persona me dëmtime të imunitetit mund të bëjnë forma të rënda.” 

Lija  e majmunit mund të transmetohet në disa forma. “Veshjet apo mjetet e ngrënies së personit të infektuar mund të shërbejnë si transmetues .”

Për linë e majmunit nuk ka mjekim të aprovuar për tu përdorur në masë  ndërkohë që vaksina e variolës ofron mbrojtje. Vaksinimi për këtë sëmundje ka përfunduar në vitet 80 pasi të prekur prej saj nuk ka më në të gjithë botën.  Lija e majmunit është përhapur në 15 shtete të botës, por mjekët thonë se nëse të infektuarit ndiqen dhe izolohen sëmundja mund të kufizohet. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!