Në Qarkun e Elbasanit ka nisur procesi i shpërndarjes së librave falas për nxënësit nga klasa e parë në klasën e pestë. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, theksoi se deri në vitin 2021, tekste falas do të ofrohen për të gjithë ciklin 9-vjeçar.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja bashkë me deputetët socialistë të qarkut të Elbasanit kanë asistuar gjatë procesit të shpërndarjes së librave shkollorë në shkollën 9-vjeçare të Shushicës në njësive administrative në Elbasan. Llatja e vuri theksin tek infrastruktura shkollore e cila po bëhet gati për 16 Shtatorin kur nis viti i ri shkollor 2019-2020.
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në cilësinë e deputetit të qarkut të Elbasanit asistoi në procesin e shpërndarjes së librave për nxënësit nga klasa e parë në klasën e pestë. Sipas Ballës, libra falas përfitojnë 75% e nxënësve ndërkohë që deri në vitin 2021 pritet që i gjithë cikli 9-vjeçar i nxënësve të marrin tekste shkollore pa pagesë.
Libra falas përfitojnë edhe kategoritë e veçanta, ku përfshihen familjet me ndihmë ekonomike, komuniteti rom, egjiptian dhe fëmijë, prindërit e të cilëve paguhen me pension invaliditeti. Po ashtu, i përfitojnë librat falas në sistemin 9-vjeçar, ata nxënës të cilët janë fëmija i tretë në një familje me 3 fëmijë në shkollë./ABC News Albania 24/7