Nis rikualifikimi i një blloku banimi në njësinë numër tetë

schedule13:20 - 15 Nëntor, 2017

schedule 13:20 - 15 Nëntor, 2017

Blloku i banimit prej 13 hektarësh në njësinë administrative numër tetë në Tiranë ka nisur të ndryshojë pamje. Bashkia ka nisur një ndër projektet më të mëdha rehabilituese për lagjet e kryeqytetit.

Nga një hapësirë ku në verë mbizotëron pluhuri dhe në dimër balta i gjithë blloku i banimit në zonën e  njohur si ish “Frigoriferi” në Njësinë numër 8 do të shndërrohet në nje lagje model në kryeqytet.

Premtimi vjen nga bashkia e cila ka nisur të zbatojë projektin që prek një sipërfaqe prej 13.2 ha dhe ka shpërndarë këto filmime për mediat.

Përfitues janë tetë mijë banorë dhe bizneset që operojnë aty.

“Jam shumë entuziast që rikthehemi këtu, pak muaj pasi mbaroi fushata e qershorit, ku së bashku me banorët shkelëm këto rrugica, në Rr. “Besa” dhe në disa lagje midis Unazës së Mesme dhe Unazës së Pestë, ose mes zonës së Bregut të Lumit dhe Bulevardit të Ri. Ne nuk mund të kemi një Tiranë që ecën me dy shpejtësi; një Tiranë që ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme te zona e Pazarit të Ri dhe që ndihet si pjesë e qendrës, europiane, me turizëm, dhe një Tiranë që është me marsh të parë, me ngadalësinë e viteve të fundit të tranzicionit, ku shumë prej ndërtimeve informale apo zonave tregtare, siç është zona e magazinave dhe zona e ish Frigoriferit, kanë ngelur pas dore. Kështu që, sot e rikthejmë Tiranën me të njëjtën shpejtësi”.

Punimet që do të kryehen në këtë zonë sipas kryetarit të bashkisë do të kenë të njëjtën cilësi me ato të realizuara në sheshin “Skënderbej” dhe “Bulevardin e Ri”.

“Siç po investojmë me ndriçim LED në Bulevardin kryesor dhe në sheshin “Skënderbej”, do vendosim ndriçim LED edhe këtu; siç do të fusim kabujt në tokë dhe gjithë këtë kukurecin e telave nëntokë në qendër, ashtu do ta bëjmë dhe në periferi, për të punuar me të njëjtën cilësi dhe për të mos iu kthyer disa herë punëve. Sigurisht, kemi hyrë në stinën e dimrit, në stinën e reshjeve, do të bëjmë maksimumin që aq sa na lejon koha të ecim shpejt këtë vit dhe të përfundojmë në gjysmën e parë të vitit tjetër”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin e banorëve të zonës për vështirësitë që mund të krijohen gjatë zbatimit të projektit. Ky bllok banimi përfshin gjithsej 18 segmente rrugore e sheshe te cilat parashikohet te sistemohen./abcnews.al

 

https://youtu.be/-bAgO1Z1ijw

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!