Nis rikonstruksioni i rrugës Kombinat-Ndroq

schedule09:45 - 15 Qershor, 2019

schedule 09:45 - 15 Qershor, 2019

Qytetarët e Tiranës këtë verë do të kenë një tjetër alternativë për të shkuar në plazhin e Durrësit apo drejt Jugut. Rruga e vjetër nga kryeqyteti në Ndroq ka nisur të rikonstruktohet. Kryebashkiaku Veliaj shprehet se shumica e punimeve mbaron në pak javë.

Rruga alternative që lidh kryeqytetin me Durrësin apo Jugun e vendit, ajo nga Ndroqi po ndryshon pamje. Ajo do të jetë në shërbim të banorëve me kushte më të mira, sipas kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj gjatë  kësaj vere.

“Është një rrugë e cila ka pasur prej kohësh nevojë për një dorë, kështu që po bashkojmë forcat. ARRSH-ja do bëjë aksin kryesor, të gjitha riparimet e nevojshme, ndërsa bashkia do të bëjë të gjitha kthesat dhe qafat e rrugëve. Do punojmë gjithashtu për skarpatat”.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë që mund të hasin gjatë kryerjes së punimeve.

“Brenda 20 ditësh, tre javë, do të kenë mbaruar le të themi riparimet kryesore, pastaj do të shfrytëzojmë gjithë korrikun-gushtin, kur Tirana është më e zbrazur dhe ka më pak trafik, që të sigurohemi që kur secili të kthehet nga plazhet të gjejë jo vetëm akset kryesore, por edhe rrugët e mëhallës së vet, shumë më të mira seç i la përpara se të mbaronin votimet dhe të shkonin për pushime”.

Kjo rrugë do t’i shërbejë jo vetëm banorëve të zonës për të derguar prodhimet e tyre bujqësore drejt tregjeve në kryeqytet, por dhe pushuesve që zgjedhin plazhin e Durrësit. /ABc news Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!