Nis puna për rikonstruksionin e kthesës së “vdekjes” në Librazhd, ARRSH paralajmëron shoferët

schedule16:35 - 19 Shkurt, 2022

schedule 16:35 - 19 Shkurt, 2022

Aksi rrugor Elbasan-Librazhd në Murrash do i nënshtrohet rikonstruksionit. Lajmi është bërë me dije nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. ARRSH njofton se punimet do të nisin nga dita e hënë dhe pritet të zgjasin për gati një muaj ndërsa janë marrë masa për menaxhimin e trafikut në zonën ku do të ketë punime. Dy segmentet ku do të ketë devijim trafiku janë ai nga km 25+300 deri në km 26+400 dhe nga km 26+350 deri në km.27+050.

Njoftimi i ARRSH

Duke nisur nga dita e hënë, datë 21.02.2022, fillojnë Punimet Emergjente në segmentin rrugor Elbasan–Librazhd në Murrash, të cilat do të zgjasin deri në datë 20.03.2022. Qëllimi i këtij Projekti Emergjence është përforcimi i pjerrësisë për të mbrojtur rrugën nga rrënia e shkëmbinjve të përmasave të ndryshëm.

Mbrojtja e skarpatave do të bëhet nëpërmjet barrierave, të cilat do të vendosen/instalohen në shpat dhe do të përdoren për të mbajtur shkëmbinj të mëdhenj me energji të lartë kinetike. Barrierat e propozuara të rënies së shkëmbinjve kanë një lartësi prej 4 m dhe mund të thithin një energji goditjeje deri në 1000 kJ. Kjo lloj mbrojtjeje e shpatit do të përdoret në zonat më të rrezikuara nga km 25+575 deri në km 26+155 dhe nga km 26+650 deri në km 26+800.

Janë marrë masat për Menaxhimin e Trafikut së bashku me Policinë Rrugore në zonën ku do të implmentohen punimet për Projektin e mbrojtjes së skarpatave. Është vendosur dhe sinjalistika provizore nga km 25+000 deri në km 27+500.

Punimet do të kryhen në 2 zona dhe menaxhimi i trafikut do të bëhet për dy segmente sipas skemave përkatëse bashkëngjitur:

‐ Zona I ‐ Segmenti nga km 25+300 deri në km 26+400.

‐ Zona II ‐ Segmenti nga km 26+350 deri në km.27+050.

Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti.

***

Rënia e gurëve në këtë aks rrugor është kthyer vazhdimisht në problem duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve pa kokore. Mëngjesin 7 Shkurtit në “Kthesën e Murrashit” u shmang tragjedia e radhës pasi autobusi me pasagjerë doli nga rruga por fatmirësisht pa të lënduar. Ndërsa pak ditë përpara një çift bashkëshortësh nga Kalimashi i Kukësit u shuan në një aksident tragjik vetëm pak metra nga ku sot doli nga rruga autobusi. Çifti nga Kukësi, Elmi 53 vjeç dhe Elona Keqa 35-vjeçe, humbën jetën, bashkë me ta edhe Elis Sulmataj 18-vjeç. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!