Nis projekti për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës

schedule18:40 - 30 Prill, 2019

schedule 18:40 - 30 Prill, 2019

Nisin punimet për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës. Realizmi i këtij investimi, me vlerë 10.5 milionë euro, pritet të jetë gati në gusht të vitit të ardhshëm dhe fale tij do te përmirësohet kapaciteti i furnizimit me ujë për kryeqytetin dhe zonat përreth. 

Në ceremoninë e përurimit të nisjes së punimeve për rehabilitimin e rrjetit hidrik, ishte e pranishme ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo.

Ministrja Balluku ka vlerësuar angazhimin e Bashkisë së Tiranës në 4 vitet e fundit për të menaxhuar në mënyrën më të mirë sistemin hidrik të qytetit dhe për të garantuar furnizimin me ujë të qytetarëve.

Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: “Furnizimi me ujë të pijshëm i kryeqytetit është një nga ato sfida, ku rritja dhe zhvillimi i shpejtë i gërshetuar me një trashëgimi shumë të keqe të situatës së investimeve në këtë sektor në të shkuarën, e bëjnë nevojën për ndërhyrje edhe më emergjente. Ndaj dhe sot jemi këtu bashkë me drejtuesit e bashkisë së Tiranës dhe me partnerët e miqtë tanë italianë, për t’i dhënë udhë një projekti shumë të rëndësishëm, që synon të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës”.

Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se falë këtij investimi afatgjatë Tirana do të përjetojë një revolucion hidrik që do të plotësojë nevojat e banorëve.

Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës: “ Ju e dini fare mirë që uji në Tiranë ka këto tre stacione: stacioni i parë, ku mblidhen ujërat, është ky i Bovillës; stacioni i dytë është impianti ku filtrohet, dhe stacioni i tretë është rrjeti dhe çezma e secilit prej përdoruesve të shërbimeve të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Ky investim lidh dy stacionet e para. Sot realisht po nis një revolucion hidrik për Tiranën. Jam i lumtur që falë kësaj ndarje të punës, teksa qeveria dhe ambasada fokusohen nga Bovilla në impiant, ne fokusohemi nga impianti në zonat tona problematike, kryesisht zona e Astirit, e Kasharit, zona ku ish-komuna kishte dhënë leje për pallate pa fund me puse uji”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se si pasojë e mirëmenaxhimit, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime të Tiranës i ka çuar arkëtimet në nivelin 97-98%.

I pranishëm në nisjen e punimeve edhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo e cilësoi investimin qe po bëhet me financimin e Qeverisë Italiane, përmes Kooperacionit Italian në Tiranë, si një vepër me ndikim dhe rëndësi të madhe teksa solli në vëmendje se ky investim është pjesë një programi të gjerë të qeverisë italiane për rehabilitimin e sektorit hidrik të Tiranës, një program i cili ka pasur një financim të përgjithshëm prej 27 milionë eurosh./ABC News Albania 24/7