Liga Profesioniste e Futbollit ka dalë me njoftim dhe synon që Kategoria Superiore të ndryshojë emër, kundrejt pagesës. Çdo biznes mund të futet në garë për të blerë të drejtën e emrin, fillimisht vetëm për sezonin 2020-21 që ende nuk ka nisur prej bojkotit. Në njoftimin e bërë bëhet me dije se minimalisht një kompani duhet të ofrojë 100 milion lekë të vjetra, ndërkohë që oferta mund të paraqitet deri më 23 tetor.
NJOFTIMI – “Liga Profesioniste e Futbollit njofton se po kërkon një sponsor gjeneral për sezonin e ri të Kampionatit Shqiptar “Kategoria Superiore”. Sponsori Gjeneral përfiton ndër të tjera të drejtën e emrit të Kategorisë Superiore (Superligës) dhe shumë përfitime të tjera të cilat janë pjesë e një pakete të kompletuar sponsorizimi.
Çdo kompani e interesuar duhet të jetë një kompani që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar dhe/ose ndërkombëtar. Për informacion më të hollësishëm mund të na shkruani në adresën [email protected].
Shitja e të drejtave të emrit do të ketë afat vetëm për sezonin 2020-2021 me një çmim dysheme prej 10 milion lekë. Çdo subjekt i interesuar mund të paraqesë ofertën e tij brenda datës 23 Tetor 2020, ora 12.00, në adresën Sheshi Italia, Stadiumi “Air Albania”, Kati i 2-të, 1010 Tiranë, ose nëpërmjet adresës se emailit [email protected].”, shkruhet në njoftim. /abcnews.al