“Defender Europe 25”, një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë, nis të martën e 27 majit nga Shqipëria.
Stërvitja shumëkombëshe drejtohet nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara, në bashkëpunim me vendet aleate të NATO-s dhe do të zgjasë deri në 9 qershor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në orët e para të mëngjesit të ditës së martë, trupat do të nisen nga Zall-Herri drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, ku do të zhvillohen fazat intensive të manovrave ushtarake, përfshirë operacione mësymëse, mbrojtëse dhe dislokime strategjike në terren të vështirë.
Stërvitja “Defender Europe 25” ka për qëllim të rrisë gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe aftësinë e forcave të SHBA-së, NATO-s dhe vendeve partnere për të vepruar në mënyrë të koordinuar në një mjedis të ndërlikuar operativ.
Kjo stërvitje funksionon sipas nenit 5 të Traktatit të NATO-s, që simulon mbrojtjen kolektive të aleatëve në rast të një sulmi ndaj ndonjërit prej tyre.
Aktivitetet ushtarake do të përfshijnë një sërë operacionesh të shkallës së gjerë në disa shtete të Evropës. Shqipëria dhe Kosova do të kenë fokus të veçantë, ku do të zhvillohen trajnime për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurimin e pikave të imbarkimit dhe menaxhimin e logjistikës së avancuar.
Ministria e Mbrojtjes thekson se në këtë stërvitje të Forcave tona të Armatosura përkrah trupave të aleancës, Shqipëria do të demontrojnë angazhimin e palëkundur ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në NATO-s, ndërsa mesazhi është i qartë: NATO është e bashkuar, e përgatitur dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.

