Prej disa ditësh ka nisur në Lushnje ndërtimi i unazës së Myzeqesë. Kjo rrugë do t’u mundësojë banorëve jo vetëm lehtësi për punët e tyre të përditshme, por do t’u ofrojë atyre një zonë më të zhvilluar.
Për banorët e tre fshatrave të Lushnjes, zhvillimi i bujqësisë varet nga ndërtimi i unazës së Myzeqesë. Punimet kanë nisur për lotin e parë dhe intensiteti i tyre shihet me pozitivitet nga banorët e Imshtës.
“Ky është destinacioni, unazë bujqësore”.
“Po u lirua kjo detyrimisht ndihmojnë më shumë akoma”.
Një nga shqetësimet e banorëve lidhet me ndotjen nga mbeturinat që derdhen në kanalin përgjatë rrugës së re. Çdo banesë ka përpara kanalin kullues, ujërat e të cilit janë ndotur për shkak të mosqarkullimit të tyre.
“Tërë kohën kështu. Edhe pa u bërë rruga. Tërë ky pisllëk ka qenë”.
“Ky kanali që po bëhet pastrimi do kthehet dhe njëherë mbrapsht. Do pastrohet dhe njëherë”.
Unaza e Myzeqesë është 11 kilometra e gjate dhe lidh me njëra-tjetrën fshatrat Bubullimë dhe Krutje. Njëkohësisht ajo shkurton distancat me akset kombëtare Lushnje-Fier dhe Lushnje-Berat.
Rruga është parashikuar të ndërtohet me dy korsi dhe trotuare dy metër të gjëra në zonat e banuara. Lidhja nëpërmjet kësaj unaze shkurton distancën me qytetin e Lushnjes dhe krijon perspektiva për aktivitete ekonomike. Unaza e Myzeqesë u shërben rreth 40 mijë banorëve./abcnews.al