Nis muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanët fillojnë agjërimin

schedule08:10 - 1 Mars, 2025

schedule 08:10 - 1 Mars, 2025

Ka nisur këtë të shtunë, më 1 Mars, muaji i shenjtë i Ramazanit. Për 30 ditë, besimtarët myslimanë do të agjërojnë, duke shmangur ushqimin për shumë orë, në shenjë të sakrificës dhe nderimit të Zotit.

Sipas besimit islam, agjërimi ndihmon myslimanët të mësojnë durimin, modestinë dhe sjell përfitime shpirtërore. Sot koha e syfyrit në vendin tonë përkoi në orën 04:39, ndërsa iftari në orën 17:37.

Dita e fundit e Ramazanit është më 29 mars, ndërsa Fitër Bajrami festohet më 30 mars.

Kalendari zyrtar i muajit të Ramazanit

Çfarë është Ramazani dhe pse është i rëndësishëm?

Ramazani është një nga pesë shtyllat e fesë Islame. Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit islamik dhe përkujton shpalljen e Kuranit të shenjtë Profetit Muhamed. Gjatë këtij muaji, myslimanët angazhohen në agjërim, duke iu përmbajtur një regjimi të rreptë, ku nuk konsumojnë ushqim dhe ujë nga agimi deri në perëndim të diellit. Ky akt agjërimi ka një domethënie të thellë shpirtërore, pasi myslimanët besojnë se ai i ndihmon ata të përkushtohen më shumë në besimin e tyre dhe të afrohen me Allahun.

Iftari dhe Syfyri

Riti i ushqimit gjatë Ramazanit është zakon që myslimanët të hanë një vakt të quajtur “syfyr” para se të agjërojnë dhe një vakt të dytë, “iftar”, menjëherë pas perëndimit të diellit. Iftari është një moment i rëndësishëm, ku familjet mblidhen për të ndarë këtë vakt. Shumë xhami organizojnë iftare kolektive për t’u mbledhur në komunitet dhe për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

Pse ndryshon fillimi i Ramazanit çdo vit?

Për shkak se kalendari islamik është hënor, çdo vit Ramazani fillon disa ditë më herët, në krahasim me vitin paraardhës. Ky ndryshim i vazhdueshëm ndodh për shkak të lëvizjes së Hënës dhe ciklit të saj, duke bërë që data e fillimit të Ramazanit të ndryshojë çdo vit në kalendarin Gregorian.

Kush mund të agjërojë?

Agjërimi është një obligim për të gjithë ata që janë të shëndetshëm dhe të aftë. Fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe ata që janë të sëmurë nuk janë të detyruar të agjërojnë. Fëmijët zakonisht fillojnë të agjërojnë kur arrijnë pubertetin, dhe ata janë të inkurajuar të përfshihen në agjërim për të mësuar për këtë praktikë të shenjtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!